Senatori amerikan mendon ndryshe nga Trump, Wicker: Putin është kriminel lufte, duhet të burgoset ose vritet

Senatori dhe Kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura, Roger Wicker, republikan nga Misisipi, bëri një vlerësim të ashpër ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke deklaruar se diktatori duhet të përballet me ekzekutim dhe jo me negociata.

Deklaratat e Wickerit erdhën pas një takimi midis Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zyrtarëve rusë në Arabinë Saudite për të diskutuar luftën në Ukrainë.

Duke folur për CNN, Wicker e quajti Putinin një “kriminel lufte” që duhet të burgoset ose të ekzekutohet.

Kur gazetari i CNN, Manu Raju, e pyeti senatorin nëse Putin mund të besohej në negociata, ai u përgjigj prerazi “Jo. Putin është një kriminel lufte që duhet të jetë në burg për gjithë jetën, nëse jo i ekzekutuar”.

I pyetur për pretendimin e Trumpit se Putin dëshiron paqe, Wicker e hodhi poshtë këtë ide, duke deklaruar se “e vetmja gjë për të cilën mund të besojmë rusët është që ata do të bëjnë gjithçka që u shërben interesave të tyre dhe të ndërmarrin hapa të përkohshëm. Vladimir Putin ka shkelur çdo parim të së drejtës ndërkombëtare dhe duhet të akuzohet, të ndiqet penalisht dhe të burgoset, ndoshta edhe të ekzekutohet”.

Deklaratat e senatorit vijnë mes shqetësimeve në rritje për qasjen unilaterale të Shteteve të Bashkuara për arritjen e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, pa përfshirjen e Ukrainës.

Trump është kritikuar për qasjen ndaj Putinit, duke përfshirë bindjen e tij se lideri rus në fakt kërkon paqe me Ukrainën.

Ndryshe, Wicker më parë ka shprehur qëndrime të forta mbi politikën e jashtme të SHBA-së./telegrafi/xlpress.tv/