Vota është si kaprolli, ajo trembet!

Vota është si kaprolli, ajo trembet!

Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë po përfshin dhjetëditëshin e parë të një muaji të gjatë që, s’do mend, duket e lodhshme, në mungesë të programeve konkrete për të ofruar perspektivë më të qëndrueshme, nga braktisja e vendit, që po vazhdon krejt para syve të politikanëve që, për çudinë e sapiensit modern, bëhen se votën e tyre ata do ta marrin edhe krahas biletave që priten në check-in.

Vota është si kaprolli dhe ajo mbetet e trembur edhe kur pi ujë, ndërkohë që nishani i gjuetarëve qëndron gati në retorikën e politikanëve që zor se ofrojnë diçka kur flasin, veç mjegull dhe grithje nga CD-të, pa qenë kurrë të përgjegjshëm në atë që kanë bërë, kanë mundur të bëjnë apo nuk provuan kurrë ta bëjnë!

E po, nga Kosova iket se njerëzit që ikin nuk duan të vriten paskajshmërisht në këtë kakofoni politikanësh që kurrë nuk u bënë. Nuk duan të vrasin perspektivën, nuk duan as të vrasin votën e tyre e cila, sipas Presidentit Lincoln, është formë plumbi. “Votat janë pasardhësit e drejtë dhe paqësorë të plumbave”. Në këtë kontekst, Lincoln ka thënë se në vend të përdorimit të dhunës (simbolizuar nga plumbat), njerëzit duhet të përdorin votat për të bërë ndryshime në shoqëri. Votimi është një mënyrë paqësore dhe e drejtë për të ndikuar në politikë dhe në vendimet që prekin jetën e të gjithëve.

Pra, vota ka fuqinë e plumbit dhe jo rrallë herë qytetarët kanë parë vetën para pasqyrës duke kthyer plumbin, lexo votën, në kokën e tyre si bumerang, se në partinë që ata kanë votuar në parlament ka futur deputetë që dita e punës së tyre del të ketë qenë rreth-rrotullimi në karriget ngjyrë rozë të parlamentit, duke shikuar shefin e partisë nëse e ka të rregulluar apo të çrregulluar kollaren në një nga vendet më të varfra në Evropë.

Mos harroni, votoni!

Xhevat Xh Latifi