Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria do të strehojë shtetas palestinezë.

Gjatë një “episodi” të serisë së re të videove në Facebook, “Sy më sy”, ku u përgjigjet ndjekësve, Rama zgjodhi pikërisht komentin e një personi i cili sugjeronte se vota për të, do të sillte mbushjen e Shqipërisë me palestinezë.

“Po pse? Apo se kështu ka ardhur një zë nga këneta. Është e gjitha një sajesë siç e marrin rrugën me shpejtësi sajesat. Sepse edhe për këtë rast vlen shprehja që “Kur e vërteta nuk ka veshur ende pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës”, tha Rama.

Zhvendosja e palestinezëve në Shqipëri, u përgënjeshtrua fillimisht nga Rama më 27 janar, kur hodhi poshtë si të pavërteta disa pretendime nga media izraelite se administrata Trump ishte në negociata me qeverinë shqiptare për këtë.