Rama: Shpenzimet e turistëve të huaj në 2024, 4,8 miliardë dollarë

Sa i përket punësimit në sektorin e turizmit, Kreu i Ekzekutivit nënvizon se është rritur me 14,1 për qind krahasuar me vitin para pandemisë.

Rama: Shpenzimet e turistëve të huaj në 2024, 4,8 miliardë dollarë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në Shqipëri pesha e turizmit për vitin 2024 vlerësohet 26 për qind e Prodhimit Bruto të Brendshëm.

Rama publikoi raportin për Shqipërinë nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe i Udhëtimeve, një institucion ndërkombëtar tërësisht i pavarur që prodhon raporte për gjithë botën dhe që i referohen të gjitha shtetet.

“Në Shqipëri pesha e turizmit për vitin 2024 vlerësohet 26 për qind e PBB-së. Punësimi që gjeneron sektori i turizmit në Shqipëri është 21,8 për qind e totalit”, u shpreh Rama.

Sa i përket punësimit në sektorin e turizmit, Kreu i Ekzekutivit nënvizon se është rritur me 14,1 për qind krahasuar me vitin para pandemisë, sepse të gjitha matjet në sektorin e turizmit, të gjitha këto organizma i bëjnë në periudhën para dhe pas pandemisë”.

“Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri në vitin 2024 vlerësohen 4,8 miliardë dollarë ose rreth 4,5 miliardë euro, të ardhura nga ata që vijnë këtu. Dhe këto 4,5 miliardë euro ata i lënë këtu. Rritja 54,7 për qind. Pra, një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me vitin, nivelin para pandemisë”, theksoi Rama.