Bislimi takon delegacionin nga Parlamenti Evropian i cili po e vëzhgon procesin zgjedhor në Kosovë

Bislimi takon delegacionin nga Parlamenti Evropian i cili po e vëzhgon procesin zgjedhor në Kosovë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të shtunën ka mirëpritur në takim një delegacion nga Parlamenti Evropian, i cili po monitoron e vëzhgon procesin zgjedhor në Kosovë.

Sipas komunikatës në këtë takim, delegacioni drejtohej nga eurodeputetja nga Portugalia, Marta Temido, e cila është edhe kryetare e delegacionit portugez të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian që nga viti i kaluar.

Prezent po ashtu ishin dhe eurodeputetë nga Kroacia, Gjermania, Italia, Franca dhe Belgjika.

“Gjersa e njoftoi delegacionin me sukseset dhe të arriturat e qeverisë përgjatë këtij mandati qeveritar, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi ndër të tjera edhe rritjen ekonomike, rishpërndarjen e saj drejt qytetarëve, rritjen e pagës minimale, uljen e papunësisë, politikat incentivuese për gratë e avancimin në integrimin evropian”, thuhet në komunikatë.

Në vijim thuhet se Bislimi ka folur edhe për zgjedhjet e nesërme dhe fushatën e zhvilluar përgjatë këtij muaji.

“Theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ditës së nesërme, veçanërisht në mbarëvajtjen e tyre, për një proces demokratik dhe transparent”, theksohet në komunikatë.

Gjithashtu bëhet e ditur se ai e ka falënderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht atë në përkrahjen drejt rrugëtimit në integrimin evropian.