Rrëfime të thella për kuptimin dhe absurditetin e jetës

 

RRËFIME TË THELLA PËR KUPTIMIN DHE ABSURDITETIN E JETËS

(Pjesë e shkëputur nga një shkrim analitik më i gjatë për librin “Hapësirë e akullt” të autorit Xhemë Karadaku)

Për botuesin: Lumnie Thaçi-Halili

Shtëpia Botuese URA, Prishtinë, njofton për botimin e librit me tregime “Hapësirë e akullt” të autorit Xhemë Karadaku, që shënon një moment të rëndësishëm në misionin tonë për të publikuar letërsinë e pasur dhe origjinale shqipe. Ky botim vjen si rezultat i një përkushtimi të palodhur për të promovuar zërat, të cilët tashmë kanë bërë emër dhe për të sjellë para lexuesve tregime që pasqyrojnë emocionet, kulturën dhe botëkuptimin unik të autorëve tanë të shquar. Ftojmë dashamirësit e letërsisë që të bëhen lexues të këtij rrugëtimi krijues dhe të zhyten në botën magjike të këtyre rrëfimeve për t’i dhënë zë fjalës së shkruar. Aty do të gjeni një koleksion magjepsës që do t’ju çojë në udhëtime imagjinare kohore, plot ngjyra, emocione dhe befasira. Këto tregime përthurin bukurinë e fjalës shqipe me fantazinë e pafund, duke krijuar një botë ku çdo faqe shndërrohet në një aventurë të paharrueshme… Prandaj, të bëhemi bashkë si pjesë e këtij udhëtimi të mrekullueshëm me këtë libër, i cili përjetohet herë si puhizë fresku e herë si ngrohtësi rreze që fryn mbi horizontet e imagjinatës. Duke lexuar, do të humbisni në rrugica ëndrrash të shkuara e të ardhme, për të reflektuar më mirë të tashmen. Janë 16 tregime që pulsojnë si yje brenda librit, andaj të prekim këtë galaksi magjike të fjalëve, ku çdo faqe bëhet kureshtje e paduruar për të udhëtuar drejt të panjohurës!
Tregimet e analizuara këtu përmes simbolikës, ironive dhe karakterizimeve të hollësishme, i ofrojnë lexuesit një shteg për të kuptuar absurditetin e disa prej fenomeneve bashkëkohore, marrëdhëniet komplekse mes individit dhe shoqërisë, dhe dilemën morale për të ruajtur integritetin përballë sfidave të përditshme. Kështu që edhe libri i botuar së fundmi nga Botimet URA (tregime të përzgjedhura) me titull “Hapësirë e akullt” të autorit Xhemë Karadaku, edhepse janë shkruar në kohë të ndryshme, lidhen ndër vete me një bazament të fortë, ecjen nëpër mundimet të asaj që quhet jetë, si realitet, por edhe si krijim i bazuar në fantazinë krijuese, pra bazuar në “realitetin e ri” letrar. Autori trajton tema nga kaluara e largët apo e afërt, apo edhe tema aktuale, ku ngjarjet brenda tregimeve, japin një pamje të dhembshme dhe tragjikomike, me atë që ka ndodhur, me atë që ndodh tash ose pritet të ndodhë në të ardhmen.
Leximi i librit me tregime “Hapësirë e akullt”, të Xh. Karadakut të lë një mbresë se je duke lexuar, fletë ditari të jetës, apo je duke shfletuar një bllok skicimesh, pasazhesh apo copa fragmentesh të asaj që quhet jetë reale ose asaj të fantazuar. Apo, thënë më mirë, gjatë leximit, je duke parë një film dokumentar, për ato që (s)kanë ndodhur, e të cilat në njëfarë dore i ke parë, e mënyra se si i ke parë, nuk janë film dokumentar, por një omnibus rrëfimesh, që fillojnë me shpalosjen e identiteteve të personazheve, nga tregimi “Pellgorja ndryshe”, deri te tregimi “Ëndërr me ëndrra”.
Autori arrin të hyjë thellë në botën psikologjike të personazheve, duke shpalosur përmes tyre një botë e cila (s)ka ndodhur, duke parë figura të cilat (s)ekzistojnë. Gjatë leximit të tregimeve, lexuesi e krijon portretin e njeriut të këtij nënqielli, të mbushur me vuajtje, dhembje, sakrifica, halle etj. Pra, gjashtëmbëdhjetë tregimet te “Hapësirë e akullt” janë pasqyrim i një kohe, e cila ka lënë vragë tek autori, e sigurisht që do të lënë gjurmë edhe në mbamendjen e lexuesit të tyre.