Princ Leka: Kosova ka dëshmuar se fuqia e një populli që beson në lirinë e tij nuk mund të ndalet

URIMI PËR DITËN E PAVARËSISË SË KOSOVËS 🇽🇰

Sot, më 17 Shkurt, festojmë me krenari dhe përkushtim një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, pavarësinë e Kosovës. Kjo ditë është fryt i sakrificës së brezave të tërë, të cilët me guxim, vendosmëri dhe dashuri për atdheun, hapën rrugën drejt lirisë dhe sovranitetit.

Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë. Nga robëria te rezistenca, nga lufta te rindërtimi, Kosova ka dëshmuar se fuqia e një populli që beson në lirinë e tij nuk mund të ndalet. Kjo dashuri për Kosovën është një ndjenjë e thellë dhe e trashëguar brez pas brezi, ashtu siç ka qenë për familjen time, duke nisur nga Mbreti Zog, i cili mbajti gjallë frymën çlirimtare, dhe më pas nga Mbreti Leka I, i cili në çdo rrethanë mbrojti të drejtat e Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që ndodheshin.

Sot, ndërsa kujtojmë sakrificat e të kaluarës, na takon të ndërtojmë një të ardhme të ndritur, një Kosovë të fortë, demokratike dhe të zhvilluar, ku drejtësia mbizotëron dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë.

Sfida ende ka, por ato janë vetëm sprova që do ta bëjnë Kosovën më të qëndrueshme dhe më të fortë. Shteti ynë ka nevojë për përkushtimin dhe kontributin e secilit prej nesh, qytetarë, intelektualë, liderë e rinisë sonë energjike, për të ndërtuar institucione të besueshme, një ekonomi të fuqishme dhe një shoqëri të lirë e të drejtë. E ardhmja e Kosovës nuk shkruhet vetëm nga politika apo rrethanat ndërkombëtare, por nga vullneti dhe puna e pandalshme e popullit të saj.

Në këtë përvjetor, le të rijetojmë idealet e atyre që luftuan për këtë ditë dhe le të angazhohemi me të njëjtin shpirt për ta bërë Kosovën një shembull suksesi dhe stabiliteti në rajon e më gjerë.

Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Qofsh gjithmonë e lirë, e drejtë dhe e begatë! 🇦🇱🇽🇰