Më 4 prill përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë në rastin e Thaçit

Në seancën e sotme të rastit të ish-krerëve të UÇK-së, prokurorët thanë se kanë mbetur vetëm edhe 20 dëshmitarë.

Më 4 prill 2025 është dita e fundit kur dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, e njohur si Gjykata Speciale, do të dëshmojnë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në seancën e sotme të rastit të ish-krerëve të UÇK-së, prokurorët thanë se në kuadër të procesit të mbylljes së provave të Prokurorisë në këtë rast, kanë mbetur vetëm edhe 20 dëshmitarë, por, jo të gjithë do të dëshmojnë në gjykatë.

“4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, mocione jogojore, prova përkatëse. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do të kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, tha prokurori Matt Halling.

Prokurori tjetër në Gjykatën Speciale, James Pace njoftoi se për javën tjetër i kanë dy dëshmitarë për të dëshmuar.

Tre ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ishin të pranishëm në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes, ndërsa ish-presidenti Hashim Thaçi nuk është i pranishëm për arsye shëndetësore. Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në këtë rast, u diskutua edhe për afatet kohore dhe procedurat për nxjerrjen e provave si dhe planifikime të tjera lidhur me mbylljen e çështjes gjyqësore në këtë rast.

Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë, por, jo të gjithë parashihet që të shkojnë në sallën e gjyqit për të dëshmuar pasi ZPS-ja vetëm në disa raste do të mbështetet në dëshmitë e dëshmitarëve. Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.