POROSI PA EKUIVOKE
Faton Bislimi
Tani që ka përfunduar procesi zgjedhor dhe thuajse edhe ai i numërimit të votave, Kosova duhet ta kthejë vendmendjen tek interesat e veta kombëtare dhe shtetërore. Është kohë e pakohë në gjeopolitikën globale. Neve jemi faktor i vogël për të ndikuar në gjeopolitikën botërore, por jemi jashtëzakonisht të ndikueshëm. Realisht, dinamika e zhvillimeve ndërkombëtare, deshtem apo jo ne, na pëlqeu apo jo, i kushtuam vëmendje apo jo, ka ndikim madhor tek ne, respektivisht në Kosovë.
Në secilën paraqitje time publike (sado të limituar) dhe në shkrimet e publikuara, ka kohë që kam potencuar, theksuar, e ritheksuar nevojën e menjëherëshme të Kosovës për t’u fokusuar në zhvillimin e një diplomacie proaktive. Ka kohë që kam tërhjekur vërejtjen se problemi më madhor që Kosova mund ta ketë nesër në tavolinë mund të burojë nga një marrëveshjeje Rusi-Ukrainë. Kam theksuar se frika jonë e vetme, por reale, është se në një marrëveshje të tillë mes elefantësh politikë, ne mund të mbesim vecse një monedhë kusuritje. Dhe, kjo do ishte jo e lehtë për Kosovën. E papranueshme ndoshta për ne, por e pandryshueshme. Andaj, të vajtojmë këtë situatë pasi që ajo të ndodhë është e kot. Të veprojmë sot që të mos e lejojmë shtetin tonë të vije në atë situatë është jo vetëm nevojë e kohës, por patriotizëm i vërtetë. Kushdo që përnjëmend e do vendin më shumë se interesin e vet politik a partiak, sot duhet të vihet në shërbim të angazhimit të gjithmbarshëm e gjithëpërfshirës për shpëtimin e Kosovës nga eventualiteti i mbejtes monedhë kusuritjesh në marrëveshjet e mëdha gjeopolitike botërore.
Deklaratat e fundit të Presidentit Trump për Ukrainën dhe intensifikimi i angazhimit të Washingtonit zyrtar për një marrëveshje të shpejtë në mes Ukrainës e Rusisë, bile pa përshirjen e Ukrainës fare, janë indikacione që frika ime e kahmotshme tanimë po kthehet në një realitet që kërkon përgjegjësi në veprime e gatishmëri për angazhim.
Historikisht, Kosova ka fituar në krah me SHBA-të. Por, le ta kuptojmë njëherë e mirë se këto fitore janë arritë jo për shkak se ne patëm fat në një lojë fati e disi na ra jackpot-i, por sepse angazhimi dhe veprimi ynë kombëtar ishte mirë i drejtuar, në kohë, dhe pa asnjë mëdyshje e pa asnjë kalkulim politik vetanak. Beteja diplomatike e Kosovës për të fituar përkrahjen e SHBA-ve për të arritë tek lirija e pavarësia ishte fituar përmes Capitol Hill-it, respektivisht Kongresit të SHBA-ve. Aty ne sfiduam dhe kundërargumentuam suksesshëm të gjithë lobimin madhor propagandues serb kundër shqiptarëve e Kosovës, e besa edhe animin kah Beogradi të shumë zyrtarëve të administratave të njëpasnjëshme amerikane.
Tash ka ardhur koha që t’i përvjelim mangët edhe njëherë e t’i rikthehemi angazhimit tonë fuqishëm e pragmatik pikërisht në Capitol Hill.
Që nga koha kur për herë të para pata shkelë në Kongresin e SHBA-ve, më 2002, asokohe si pjesë e stafit të Komitetit për Marrëdhënje Ndërkombëtare të Kongresit nën lidershipin e heroit të kauzës sonë, z. Tom Lantos, gjithënjë me ndihmën dhe propozimin e heroit tonë të gjallë, z. Joe DioGuardi, e deri të tani, kam mësuar shumëcka nga kuluaret e Washingtonit. Dhe, kur them se na duhet t’i përvjelim mangët edhe njëherë, e them pa ekuivoke e jo në stilin e vizitave protokollare e as tyre sa për një foto. Të tilla kemi pasë dhe do kemi në vazhdimësi. Por, puna reale bëhet nëpër zyrat dhe me stafin e Kongresistëve e Senatorëve kyc të politikës së jashtme në Kongres e Senat; bëhet nëpër takimet substanciale që kanë objektiv e strategji; bëhet duke ngritur kauzë e duke argumentuar për të në vazhdimësi!
Kauza jonë dihet—sforcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënjeve me SHBA-të dhe ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë. Me fjalë tjera, nuk duhet të mbesim monedhë kusuritje e marrëveshjeve të elefantëve. Assesi!
Strategjia dihet sepse e kemi provuar dhe ka pasë sukses në të kaluarën. Ne jemi sot shtet dhe republikë e pavarur pasi që suksesshëm arritëm ta kemi në krah Amerikën dhe krejt perëndimin mandej. Metodat mund të mos jenë të njejta tanimë sepse kohërat kanë ndryshuar, por strategjia jo. Faktet i kemi, por argumentimi i tyre është art në vehte që duhet bërë në mënyrën e duhur para njerëzve kyc në Washington. Ne nuk jemi armiq as të Amerikës e as të Trump. Përkundrazi, jemi aleatët më lojal të tyre. Jemi shteti dhe populli më pro-amerikan. Por, krejt kjo duhet argumentuar në mënyrën që sot e kupton administrate e re, permes miqëve të shumtë që ende kemi në Capitol Hill.
Nga angazhimi im mbi dy-dekadësh në Washington për interesin shtetëror të Kosovës dhe kauzën tonë kombëtare në përgjithësi, e them nga përvoja, se momentumi i humbur është humbja e garantuar. Momentum politik është aset i papersëritshëm nëse shfrytëzohet mencur; dhe i njejti momentum mund të jetë edhe humbje e madhe nëse nuk shfrytëzohet fare apo mencur.
Kosova nuk e ka aspak komoditetin e diskutimeve pafund mbi cështje që janë mikroskopike në oqeanin politik të zhvillimeve ndërkombëtare. Duhet para fotografia e plotë – fokusi duhet të jetë në tërësinë e assesi në elementet mikroskopike që e përbëjnë atë. Ne edhe mund të cajmë kokën me njëri-tjetrin për këto elementet, por tërësia është ajo që përcakton vendin tonë në skenën globale.
Është momentumi i tejkalimit të vetës për secilin që mundet dhe beson se mundet të ndihmojë që Kosova të ruaj vetën dhe ne bashkërisht të ruajmë Kosovën përbrenda orbitës së gjeopolitikes dhe interesave gjeostrategjike amerikane. Nuk duhet ta gënjejmë vetën asnjëherë se dalja jonë eventuale nga kjo orbitë është pa zarar sepse kemi Evropën. Më falni, por, Evropa në përgjithësi (pra BE) nuk besoj se e ka as vullnetin, as kapacitetin, e as interesin primar të merret me ruajtjen e shtetit tonën nga dallgët e gjeopolitikës globale—ndoshta edhe jo qëllimisht, por thjeshtë sepse fokusin e ka në vetvetën dhe ruajtjen e tërësisë së vet!
Kushdo që mendon se veprimet e fundit – qoftë quani drastike, qoftë jokonvencionale, qoftë ndryshe – të Presidentit Trump karshi lojtarëve shumë më të rëndësishëm se në në sferën globale janë të përkohëshme apo joserioze, ose nuk vet nuk është serioz, ose thjeshtë nuk e kupton rëndësinë e fuqisë që i uluri në Zyrën Ovale e ka!
Nuk dua të them e as të tingëlloj bile se disi duhet pasur frikë e duhet qenë pesimistë. Përkundrazi, dua të them se duhet të jemi vigjilentë dhe proaktiv. Duhet të veprojmë tash. E përsërisë, Amerika nuk është as miku i Serbisë e aq më pak armiku ynë që do na abandonojë tanimë. Assesi! Edhe Presidenti Trump në momente kruciale ka treguar se Amerika është me ne—në mandatin e tij të parë, Kosova fitoi ushtrinë, dhe njohjen madhore nga Izraeli. Tani, në këtë mandat, është obligim yni që përmes Kongresit të SHBA-ve, nëse jo direkt me Zyrën Ovale, jo vetëm të mos mbetemi monedhe kusuritje mes elefantësh, por të jemi pjesë e përfitimit për shtetin dhe kombin tonë, bashkë me elefantin perëndimor!
Sic kam bërë tash e mbi dy dekada, pa asnjë kalkulim tjetër (e shpeshëherë edhe duke paguar kosto politike sikur brenda subjektit tim, ashtu edhe më gjerë), unë do e vazhdoj misionin tim për vendin e kombin. Por, e pranoj, se vet “nuk shkohet as në xhehnet” siç thot populli, andaj duhet angazhim, bashkërendim, e mirëkuptim i përbashkët. Ta shfrytëzojmë momentumin. Bashkërisht! Mbi të gjitha e mbi të gjithë ne—Republika e Kosovës!