Me rastin e Epopesë së UÇK-së, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gjilan të enjten, kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, bashkë me nënkryetaren Leonora Morina Bunjakun, drejtorë, këshilltarë e zyrtarë komunalë, pjesëtarë të FSK-së e Policisë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe.
Këto aktivitete po bëhen për të nderuar dhe për të përkujtuar dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës.
Kryetari Alban Hyseni, tha se janë në vendin më të shenjtë të Komunës së Gjilanit, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve, për homazhe në këtë ditë dhe datë të rëndësishme për vendin.
Sipas tij Epopeja e lavdishme e UÇK-së është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare si përkujtim i sakrificës sublime të komandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së të të gjitha luftërave çlirimtare anembanë trojeve tona.
Ai tha se ishte një ngjarje e pashembullt në gjithë botën dhe luftërat çlirimtare.
“Puna dhe angazhimi jonë i përditshëm të jetë konform misionit të angazhimit të dëshmorëve, në mënyrë që të nderojmë vetveten, duke respektuar vullnetin e dëshmorëve”, tha kryetari Hyseni.