Gërvalla pas darkës së ministrave me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO për stabilitetin rajonal dhe sigurinë evropiane.
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, në takimin me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) në Luksenburg ka kërkuar mbështetje për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO.
Gërvalla përmes rrjeteve sociale pas darkës së ministrave me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO për stabilitetin rajonal dhe sigurinë evropiane.
Ajo përmendi tre hapa urgjente që kërkohen tani dhe që sipas saj kontribuojnë jashtë mase në stabilizimin e rrethanave në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe hapjen e rrugës për integrimin e rajonit në BE.
“Hapat në fjalë janë heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, përfundimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, tha Gërvalla.
Njëkohësisht, ministrja Gërvalla theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023.
Ajo theksoi se ky proces duhet të çojë drejt njohjes reciproke dhe ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi bazën e barazisë dhe vlerave evropiane. Ajo kërkoi nga BE-ja edhe veprime ndaj Serbisë, e cila “në vazhdimësi e mohon marrëveshjen dhe vepron në kundërshtim me dispozitat e saj”.
“Në kontekstin e kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia dhe ndikimit rus në rajon, ministrja Gërvalla bëri thirrje për mbështetje të fuqishme të aspiratave të Kosovës për anëtarësim e saj në NATO. Ajo kërkoi gjithashtu llogaridhënie të plotë për aktin haptazi të sulmit në Banjskë, si çështje kyçe për sigurinë rajonale dhe integritetin e BE-së”, thuhet më tej në njoftimin në rrjetet sociale.
Shefja e diplomacisë kosovare shtoi se koha për veprim është tani dhe “mbështetja për Kosovën është investim për paqe, siguri dhe demokraci në gjithë Evropën”.