Kthim

KTHIM
(Dedikim vetes për ditëlindje)

Luljeta Aliu

Unë kthehem nga zjarri,
Duar të djegura, por sy të pashuar,
Nga shpatullat më shpërthyen flatrat
Dhe me krenari barti brirët.

Nën lëkurë – heshtje që digjet.
Shpirt i flakëruar që nuk kërkon shpëtim,
veç ndriçim
në vendin ku yjet i kanë vjedhur.

Emër nga kujtesa e perëndive,
zjarr i grabitur jo për rebelim,
por për kujtesën që pranga shkrinë.
Shikim që s’kthehet prapa,
përballje që heshtjen e thyen me prani.

Puthje me dhimbjen —
fjalë e pathënë që ndrit në thellësi.
Plagë si alfabet,
shenjë në lëkurë e në kujtim.

Me vdekjen e perballur,
prani pa frikë.
Dritë që vërbon diellin,
errësirë që mbart shkëlqim.

Dita e sotme festë për vitet,
për thyerjet që më bënë shkëmb.

Dhe tani – vetëm prani.
Pa arsye për shpjegim.
Vetë zjarri.
Vetë hija.
Vetë liri.

L.A. 30.04.2025