Danimarkë: Tani për herë të parë filloi një proces kundër atyre që kanë përdhosur Kuranin.

Pas rasteve të shumta të djegies së Kuranit gjatë verës së vitit 2023, Danimarka e shtrëngoi legjislacionin e saj. Tani për herë të parë filloi një proces kundër atyre që kanë përdhosur Kuranin.

Të premten vëmendja u përqendrua në ishullin danezBornholm në Detin Baltik, ku fillon një gjykim që ka tërhequr shumë vëmendje publike. Dy burra akuzohen për “trajtim të papërshtatshëm të Kuranit”. Gjatë një festivali folklorik në qershor 2024, ata dogjën librin e shenjtë të myslimanëvepara një publiku në një tendë dhe e transmetuan të gjithën drejtpërdrejt në Facebook. Prokuroria daneze nuk i ka publikuar detajet rreth identitetit të të akuzuarve apo rrjedhës së saktë të ngjarjeve. Sipas deklaratave të tyre, vendimi pritet të jepet gjatë procesit.

Gjyqi i parë sipas ligjit të ri
Gjyqi në qytetin më të madh të Bornholmit, Rennes, është gjykimi i parë penal që kur hyri në fuqi një ligj i ri që kriminalizon “trajtimin e papërshtatshëm” të shkrimeve të shenjta fetare (si Bibla, Kurani ose Tora). Sipas këtij ligji, ndalohet jo vetëm djegia e shkrimeve të shenjta fetare, por edhe përdhosja, grisja ose shkelja e tyre. Shkeljet mund të ndëshkohen me gjobë, e në rastet më të rënda me dënim me burg deri në dy vjet.

Ligji hyri në fuqi më 7 dhjetor 2023, pasi disa raste të djegies së Kuranit në Danimarkë dhe Suedi shkaktuan tensione serioze ndërkombëtare. Në korrik të vitit 2023, anëtarët e grupit populist të krahut të djathtë “Patriotët Danezë” dogjën Kuranë përpara disa ambasadave të vendeve myslimane në Danimarkë.

Individë të tjerë kanë provokuar vazhdimisht reagime publike duke djegur Kuranin. Vetëm midis korrikut dhe tetorit 2023, policia daneze regjistroi më shumë se 480 raste të djegies së flamujve ose librave fetarë.

Djegia e Kuranit: Kërcënim për sigurinë e brendshme? Lexo artikullin këtu: https://www.dw.com/sq/danimarka-p%C3%ABrdhosja-e-kuranit-n%C3%AB-gjykat%C3%AB/a-72487623