Është shkaktuar një mjegulli e madhe

Besnik Bislimi

Është shkaktuar një mjegulli e madhe në raport me fondet që Kosova pritet t’i pranojë nga Plani i Rritjes së BE-së, andaj më lejoni të qartësoj situatën për opinionin publik.

Fillimisht, në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës i është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme përveçse në kohë, edhe me cilësi.

Mirëpo, si shkak i aprovimit me vonesë të Planit të Rritjes në Këshillin e BE-së, Komisioni nuk ka arritur t’i përmbahet afateve të saja të paracaktuara. Prandaj, në qoftë se Komisioni Evropian do t’i përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë.

Sidoqoftë, është mëse e rëndësishme të potencohet se asnjë pagesë, përfshirë paradhënien, nuk mund të humbet. Ato do të disbursohen në momentin që Kosova ratifikon marrëveshjen dhe plani do të vazhdojë direkt në fazën e implementimit ashtu siç është paraparë. Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen.

Së fundmi, edhe pse konstituimi i Kuvendit ende nuk është përfunduar, dhe anëtarët e Qeverisë janë në detyrë, aparati shtetëror prapë funksionon si gjithmonë. Shumë punë janë duke u zhvilluar dhe ministritë e institucionet e tjera të linjës po i kryejnë detyrat dhe aktivitetet e tyre brenda afateve dhe kompetencave. Marrëveshjet e ligjet e nevojshme po përgatiten për aprovim në Qeveri e Kuvend sapo të krijohen institucionet. Andaj, as paratë dhe as zbatimi i agjendës së reformave nuk po rrezikohen.