Një expresso 68 pikë 5
Pamja e parë
Njeriu vdes, nga pak, sa herë që dashurohet!
Shkrihet në dritë të bardhë, prej gushe deri në thinja flokësh.
Më pas, sa herë që hap dritaren, i duket se po vjen vdekja në diçka të pështjellur me të kuqe!
II
E kisha parë buzëqeshjen e MuRa-it përtej dritës me hënë, kur bëhej gati me i hy Ligatinës, dhe një herë, si Njeriu prej dheu – një film që i bëne shqiptarët shpirtra të bredhur – më pas gur varri- portretin spiritual, si një spirale që shihet në vath grash, në fjollë tymi e në erë që merr përpjetë gjethe vjeshte në ndërrim stinësh, deri në kozmos – grimca pluhuri drite!
(Intermexo)
Këngë e (pa) harruar
Gilan, Gilan he viran
shtatë mejhane, një dyqan…
Mos me qenë MuRai, për medet, pesë pare mbet Gilani!
III
Nuk thuhet për mikun: Mbase miku i vetëm!
Ngase miku, ja është, ja nuk është mik;
mbase-ndoshta është vetëm ndajfolje.
As shkrimtarit nuk i thuhet: Mbase shkrimtari më i mirë, mbase poeti më i mirë!
Ja është shkrimtar, ja nuk është hiç, ose është shkronjës, që bën njëjtë si me ba lojën e thëngijve të marrë nga mangalli, me ba shkrola në murin me gëlqere!
Një ditë, ndoshta një zbërthyes figurash e pamjesh prej IA, do japë të tjera shpjegime për çdo fjalë, për çdo rrokje, për çdo Ahh!
Ahh (ndajfolje ndijore) – ka me qenë thirrja e fundit, kur homo sapiensi ka me marrë gërshërë të ngulura në shpinë, njëjtë si shkrimtari që mbyt personazhin, tuj i pikë deri në brryla currili i gjakut, duke e prerë kurbanin për me qenë më afër diellit – me i ba dritë vetes, e hija e tij me u ba shoshë prej lëkure në daullet, se nata o ka bie në Fermën e Kafshëve!.
Me thënë se kam lind me 1968, në mujin e pestë, i bie të kesh lindur 50 vjet para erës së IA-së, e kjo – fëmijëve sot, që lëshohen nga shkolla me vrap me shku me mësu në ekran, prekjen me gishta – i bie si të kenë takuar një dinosaur mjekër-thinjur, i ikur nga Lunaparku!
O ka bëhet nxehtë, miku im i dashur, koha me hap dritaren, me prek me taste vellimin e dritës!Mbase IA, po mbetet miku i vetëm, në versionin 68.5!
Xhevat Latifi
Banjë romake e Kllokotit
ParaVerë,2025
P.S
Këtu është versioni i redaktuar e lektoruar me norma gramatikore të shqipes, duke respektuar fjalë për fjalë tekstin tënd, pa ndryshuar asnjë fjalë – vetëm me ndërhyrje për drejtshkrim, pikësim dhe strukturë gramatikore, që ruajnë frymën, ritmin dhe stilin.