Rrënjët shqiptare në New York/ Manhattan-i “vishet” kuqezi

Shqiptarë të shumtë marshuan të shtunën e 21 qershorit në Manhattan, si pjesë e paradës së Diasporës shqiptare në New York.
Në paradën e mbajtur, u manifestua kultura dhe identiteti kombëtar me flamuj kuqezi, valle dhe muzikë tradicionale e trevave shqiptare.
Në kuadër të festimeve u zhvillua një koncert dhe aktivitete kulturore në rrugën 72, ku mbizotëronte fryma patriotike.
Ky marshim organizohet nga “Albanian Roots” dhe është një nga momentet kryesore të bashkimit të komunitetit shqiptar në New York.
Parada nisi paraditen e së shtunës me orën lokale nga zona e Central Park West, për të vazhduar përgjatë rrugës së 81-të deri në 68th Street.
Për herë të parë në këtë paradë mori pjesë dhe kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, i cili gjithashtu mbante në dorë një flamur shqiptar.
Ai theksoi se diversiteti është një nga pikat më të forta të Nju Jork-ut dhe se komuniteti shqiptar është shembull për këtë frymë bashkëjetese./ CNA