Vapë ekstreme në jugun europian në fundjavë – rrezik për shëndetin

Nga Portugalia në Ballkan – Vapë ekstreme në jugun europian në fundjavë – rrezik për shëndetin
Temperatura që kalojnë 40 gradë Celsius, të shoqëruara me një rrezik të lartë zjarresh në pyje: Shumë vende të Evropës Jugore po përgatiten për të nxehtin ekstrem këtë fundjavë. Ekspertët e motit paralajmërojnë se valët e të nxehtit jo vetëm që po ndodhin më shpesh, por edhe më herët.
Në Itali janë lëshuar paralajmërime për rrezikun nga i nxehti për 21 qytete – përfshirë Venecian, ku që nga e enjtja po zhvillohet dasma e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, me ish-prezantuesen televizive Lauren Sánchez. Autoritetet italiane theksojnë se vapa mund të bëhet aq e rëndë këtë fundjavë sa mund të ndikojë edhe në shëndetin e njerëzve pa probleme shëndetësore paraprake.
Spanja pret temperatura mbi 40 gradë Celsius. Nga e shtuna e tutje, do të jetë aq nxehtë sa autoritetet paralajmërojnë, se 75 përqind e të gjitha komunave në vend përballen me një rrezik të ulët, të mesëm ose edhe të lartë shëndetësor, varësisht nga rajoni. Franca paralajmëron për rrezikun e temperaturave të larta dhe të zjarreve.
Disa vende të Ballkanit kanë lëshuar gjithashtu paralajmërime për nxehtësi për shkak të temperaturave të pritshme që tejkalojnë 40 gradë Celsius. Në Kroaci autoritetet janë në alarm për shkak të zjarreve fundjavën e kaluar. Në Ballkan pritet gjatë fundjavës rënie e lehtë e temperaturave.