Cancel Preloader

Ku shkove e ku na le o Teki Dervishi…

 Ku shkove e ku na le o Teki Dervishi…

 

Ku shkove e ku na le o Teki Dervishi…

Sali kabashi

Njëmijë herë më ka mrekulluar. Një mijë herë të tjera më ka çmendur. Më mrekullonte me brilancën e shkrimeve të tij. Më çmendte me arrogancën dhe fjalët nganjëherë tmerrësisht të pamatura po në shkrimet e tij.Tekiu ishte mjeshtër. Në njëfarë mënyre bile mund të quhet maestro i pakundshoq i gazetave shqipe.

Tekiu ishte gazetari dhe letrari më i çmendur, më i famshëm dhe njëherit më lucid e më atraktiv që kanë pasur bashkarisht Prishtina, Shkupi, Shkodra, Elbasani, Korça e Tirana përgjatë një shekulli.
Me Tekiun kam ndenjur, kam ngrënë e – kam pi. Kemi folur për politikë e për letërsi. Kemi folur dhe i kemi letrarizuar e poetizuar gojarisht para një publiku të zgjedhur përvojat tona dashurore. I kemi bërë të qeshin ata që rrinin me ne. Ka qenë mysafir i dashur në familjen time.

Teki Dervishi ka qenë aq i guximshëm.

Dhe ka qenë aq i ndjeshëm.

Dhjetëra herë jemi ngatërruar ndërveti për probleme të rëndësishme e të pa kurrëfarë peshe të kësaj bote. Asnjëherë nuk jemi hidhëruar deri në atë masë sa të mbajmë inat me shoqi-shoqin.. Unë, ç’është e vërteta, me asnjë çmim as nuk do të doja të pranoja ta humbja gjeniun tim të cokattë.
Teki Dervishi nuk ka qenë demokrat. Ishte nacionalist, antikomunist, rrebel, jokomformist, kryefortë, mendjemadh, përbuzës deri në teprim.
Tekiu në të njëjtën kohë ishte aq inteligjent. Mendoja nganjëherë se ai ishte një makinë e palodhshme superfunksionale.
Tekiu ka shkruar edhe disa libra të dobët, të cilët në biblioteka, librari dhe ndër lexues shfaqen me autorësi të rreme. Në ato libra nuk ishte Tekiu i vërtetë. Ishte vetëm një zanatçi që injorantëve ambiciozë u bënte qejfin me shkrime në këmbim të një kompensimi. Kemi qeshur shpesh kur i thoja se vetëm ai e kishte mbushë me “shkrimtarë e poetë” gjysmën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës…
Teki Dervishi jetonte shpejt, shumë shpejt. Sa herë më kishte thënë dhe unë e besoja se ai, vërtetë nuk kishte mjaft miq me të cilët do të kalonte një kohë të lirë të ditës. I besoja kur thoshte se pakkush e kupton. I njihte mirë lajkatarët. Njihte spiunët e bijtë e tyre edhe më spiunë. I njihte poetët e regjimit, ata që gjysmën e jetës e kalonin duke shkelur shtigjeve të revolucionit të Titos e duke gëzuar privilegje për servilizmin e shitjen e tyre.
Tekiu ishte i përndjekuri i regjimit pushtues. Por, Tekiun e patën përzënë edhe nga revista e “Zëri” për një shkrim të tijin në kohën kur Kosova gjoja funksiononte si Republikë paralele. Tekiu e donte lirinë dhe nuk donte të dinte për çmimin që do të paguante për shfrytëzimin e saj maksimal.

Më thoshte se mezeja më e mirë për verën ishte rrushi… Tekiu ishte bekri. Ishte edhe njeri i ndejës e muhabetit. Me të kemi qeshur shumë. Ai nuk hidhërohej kurrë me rromuzet e mia. As atëherë kur unë ato ia nxirrja në gazetë. Herën e fundit e kam takuar te Teatri në Prishtinë. Ai ishte drejtor dhe atje kishte shkuar, kështu flitej, si gjoja pjesëtar i një partie. E dija se Teatri kishte nevojë për të, pasiqë ai ishte dramaturgu më i shquar yni. Meritonte të udhëhiqte në një institucion të tillë. Për të treguar se ai ishte Teki Dervishi, disave që sillen e pështillen kah teatri e Lidhja e Shkrimtarëve, kah shpërblimet e honoraret…u kishte thënë trup: Sa të jam unë këtu tekstet e juaja të pordhëta nuk do të luhen në këtë teatër…
Dy here e kam marrë në mbrojtje publikisht Teki Dervishin. Herën e pare kur e larguan nga “Zëri” dhe të dytën kur e sulmoi politika… Tekiu e pat vënë re se lufta më e ashpër do të duhej të zhvillohej kundër komunistëve të partive antikomuniste. Shkrimet e tij të vitit të fundit janë plot shembuj vetëkorrigjimi. Ai po merrte distancën e duhur kunder atyre që shkatërruan ato që ai, si një nga penat më të shquara në publicistikën shqiptare donte të ndërtonte.
Teki Dervishi është i vetmi gazetar që ka tejkaluar Faik Konicën dhe të gjithë të tjerët nga kjo fushë në këto njëqind vjetët e fundit. Edhe kur nuk jam pajtuar fare me ato që shkruante, kam pasur lezetin e jashtëzakonshëm të leximit të fjalëve të thurura aq mrekullisht e aq mjeshtërisht e intelektualisht.
“A je en mend, mer ti…! O hajvan!” Po më bëhet se po e dëgjoj thirrjen e zakonshme të Tekiut për mua. Nuk po dua të besoj se ka vdekë ky njeri tepër i dashur për mua, njeriu më i veçantë ç’prejse në Kosovë dikush ka kapë laps me dorë…
E Teki Dervishi. Tash, sa na ka mbetë askush s’e di.., ne, unë me siguri do të jetoj me mallin për ty dhe me dhimbjen pse nuk isha në përcjelljen tënde në Gjakovë. Do të doja të kisha qenë aty e të kisha thirrë: O Teki Dervishi! Ku shkove e ku na le ? Ku po na len , O Teki!?

XLPress

Postime të ngjashëm