DW- Shumë njerëz në Gjermani nuk mund të jetojnë nga rroga!

Shumë njerëz në Gjermani nuk mund të jetojnë nga rroga! Pse është problem puna me orar të shkurtuar…
Në vitin 2024, rreth 826,000 punonjës vareshin nga përfitimet sociale ose “Bürgergeld”. Kjo është rreth 30,000 punonjës më shumë se në vitin 2023 – hera e parë që numri i të punësuarve që marrin ndihmë shtesë është rritur që nga viti 2015, kur më shumë se një milion refugjatë nga Siria hynë në vend. Ky ishte, ndoshta jo rastësisht, edhe viti kur Gjermania prezantoi pagën e saj të parë minimale bazë. Edhe atëherë, më shumë se një milion punëtorë vareshin nga ndihma shtetërore. Këto përfitime shtesë i kushtuan shtetit pothuajse shtatë miliardë euro në vitin 2024, dukshëm më shumë se 5.7 miliardë që shteti pagoi për këto qëllime në vitin 2022.
Rritja e pagës minimale: Ince thotë se paga minimale në Gjermani është thjesht shumë e ulët. Edhe pse qeveria e mëparshme e rriti pagesën minimale në 12,82 euro, ajo nuk mjafton.
Javën e kaluar, Komisioni Shtetëror për Përcaktimin e Pagës Minimale, i cili përbëhet nga përfaqësues të shoqatave të punëdhënësve dhe sindikatave, njoftoi se paga minimale do të rritet në dy faza: në 13.90 euro më 1 janar 2026, dhe pastaj në 14.60 euro një vit më vonë. SPD kërkonte rritjen në 15 euro, por nuk u pranua. Helena Steinhaus, themeluese e grupit të fushatës “Sanktionsfrei” (Pa Sanksione), i cili mbështet njerëzit që marrin ndihma, thotë se këto rritje të vogla të pagesës minimale nuk mjaftojnë, kur shihen çmimet dhe qiratë në vitet e fundit. Për shembull, qiraja mesatare për një apartament në Gjermani u rrit me 4.7 përqind vitin e kaluar, ndërsa në Berlin u rrit mesatarisht me 8.5 përqind.
Problemi i punës me orar të shkurtuar: Disa ekonomistë argumentojnë se niveli i pagës minimale ka pak të bëjë me numrin e të punësuarve që kanë nevojë për ndihma. “Duhet theksuar se shumica e këtyre njerëzve nuk punojnë me kohë të plotë. Shumë prej tyre janë në trajnime ose punojnë me orar të shkurtuar”, thotë Holger Schäfer, ekonomist në Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike në Këln (IW). “Pagesa minimale për një orë punë nuk ndihmon këtu. Arsyeja pse këta njerëz nuk mund të jetojnë me të ardhurat e tyre nuk është tarifa e ulët për orë pune, por numri i ulët i orëve të punës”. Shifrat e konfirmojnë këtë: sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Federale e Punësimit, nga 826,000 punëtorë që marrin ndihma, vetëm rreth 81,000 punojnë me orar të plotë.
Edhe ministrja e Punës, Bärbel Bass, paralajmëroi së fundmi për problemin e mashtrimit masiv që lidhet me punën me kohë të shkurtër dhe përfitimet nga shteti. Ndërmjetësit po sjellin punëtorë masivisht nga vendet më të varfra të BE-së, si Rumania dhe Bullgaria, duke i punësuar ata me kohë të pjesshme dhe pagë minimale. Më pas po mbledhin përfitime nga ndihmat e shtetit që paguhen nëse njerëzit nuk mund të mbulojnë minimumin jetik përmes rrogës.
Ky është një mashtrim, sepse qytetarët e BE-së nuk mund të vijnë thjesht në Gjermani dhe të kërkojnë ndihmë sociale, por në këtë rast ata janë të regjistruar si punonjës.
Megjithatë, kjo nuk është justifikim për pagat e ulëta, këmbëngul deputeti i opozitës Ince. “Fakti është: paga minimale aktuale është një pagë varfërie!”, thotë ai.
Lexo artikullin të plotë: https://www.dw.com/sq/gjithnj%C3%AB-e-m%C3%AB-shum%C3%AB-njer%C3%ABz-n%C3%AB-gjermani-nuk-mund-t%C3%AB-jetojn%C3%AB-me-rrog%C3%ABn-e-tyre/a-73101133