Server: As Vuçiqi dhe as Kurti nuk po tregojnë gatishmëri

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë rrezikon që të kthehet në pikën zero, ka paralajmëruar eksperti amerikan për Ballkanin.
Pas më shumë se një dekade negociatash, marrëveshjesh të pjesshme dhe tensionesh të vazhdueshme, procesi i normalizimit është futur në një qorrsokak të thellë.
Serwer ka thënë se së fundmi, retorika nacionaliste e shpërfaqur edhe gjatë protestave studentore në Serbi si dhe paaftësia e politikanëve në Kosovë për t’i formuar institucionet, po e bëjnë të pamundur çdo përpjekje serioze për dialog.
Në kohë kur Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) duket se kanë humbur ndikimin e dikurshëm, Serwer ka sugjeruar që prioritet i Kosovës të jetë anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike të NATO-s, përpara se situata të rrëshqasë drejt një krize të re sigurie.
“Normalizimi tashmë ka ngecur. Retorika nacionaliste nuk do të ndihmojë për ta rifilluar. Procesi ka dështuar deri tani. Por sigurisht ka hapësirë për rimëkëmbje – nëse Beogradi dhe Prishtina vendosin që ta bëjnë këtë”, është shprehur Serwer për Kohën, duke iu referuar protestave të fundit në Serbi e gjatë së cilave janë shfaqur mesazhe anti-Kosovë.
Eksperti amerikan për Ballkanin ka vlerësuar se me rritjen e tensioneve të brendshme në Serbi dhe me paralizën institucionale në Kosovë, mundësitë që qeveritë respektive të përfshihen seriozisht në dialog gjatë muajve të ardhshëm janë minimale.
“Dyshoj se ndonjëra palë është e interesuar. As Vuçiqi dhe as Kurti nuk po tregojnë gatishmëri, ndërkohë që Evropa dhe SHBA-ja janë të fokusuara në çështje të tjera”, ka thënë ai.