Cancel Preloader

Itali, shkon në 5 numri i të vdekurve nga virusi i Nilit

 Itali, shkon në 5 numri i të vdekurve nga virusi i Nilit

Sipas autoriteteve shëndetësore italiane, pesë persona kanë humbur jetën deri më tani këtë vit si pasojë e infektimit me virusin e Nilit Perëndimor.

Rasti më i fundit është shënuar në Napoli, ku një 80-vjeçar me sëmundje të rënda kronike ndërroi jetë ditën e djeshme. Po ashtu, në fund të javës së kaluar, një 74-vjeçar me probleme të veshkave, i infektuar me virusin, vdiq në një tjetër spital në të njëjtin qytet.

Javën e kaluar, tre viktima të tjera u raportuan në rajonin më të gjerë të Latinës – rreth 78 kilometra në jug të Romës – si dhe në qytetin e Novarës, pranë Torinos.

Mjekët italianë theksojnë se shumica e të infektuarve nga virusi, i cili transmetohet nga mushkonjat, nuk shfaqin simptoma, ose përjetojnë simptoma të lehta të ngjashme me gripin, që kalojnë pa nevojën e trajtimit spitalor. Megjithatë, për personat e moshuar apo ata me sëmundje kronike dhe sistem imunitar të dobësuar, rreziku i ndërlikimeve serioze – veçanërisht në sistemin nervor – është më i lartë.

Autoritetet bëjnë të ditur se numri i përgjithshëm i rasteve deri tani nuk ka shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar. Ndryshimi kryesor këtë vit është përqendrimi i rasteve në rajonin e Latinës, ku janë raportuar 28 infeksione. Kjo zonë, me fusha të gjera bujqësore, historikisht ka qenë e prekshme ndaj sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat – përfshirë edhe malarien, e cila ishte e përhapur deri një shekull më parë.

    XLPress

    Postime të ngjashëm