Cancel Preloader

AGK-ja është posaçërisht e shqetësuar me reagimin e Presidentes Osmani

 AGK-ja është posaçërisht e shqetësuar me reagimin e Presidentes Osmani

 

Reagimi i Presidentes Osmani, sulm i ri ndaj mediave dhe gazetarëve

Pas arrestimit dhe mbajtjes së jashtëligjshme të kameramanit, Jetmir Muji, Presidentja Vjosa Osmani ka bërë një sulm të papranueshëm kundër gazetarëve dhe medieve.

Në një postim të gjatë në Facebook, Presidentja ka reaguar “ndaj përndjekjes së vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme që media të caktuara u bëjnë vajzave të mia të mitura”.

Vajzat e Presidentes Osmani janë persona publikë. Raportimi për shkollimin e tyre, qoftë në shkollë publike apo private, është në interes të publikut dhe jo përndjekje. Të papranueshme dhe të rrezikshme janë gjuha dhe sulmet e Presidentes Osmani ndaj gazetarëve dhe mediave.

AGK-ja është posaçërisht e shqetësuar me këtë paragraf të reagimit të Presidentes Osmani: “Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë”.

Ky është një shantazh i hapur publik ndaj gazetarëve që vjen nga kreu i shtetit, me qasje të pakufizuar në raporte të institucioneve të sigurisë. Një mesazh i tillë kur vjen nga kreu i shtetit duhet të shërbejë si alarm për sigurinë juridike të secilit qytetar të Kosovës.

Në kohën kur gazetarët dhe mediat sulmohen vazhdimisht nga Qeveria, Presidentja e Republikës së Kosovës, duhet të jetë ajo që garanton dhe ruan lirinë e medias, detyrë dhe obligim edhe sipas Kushtetutës së Kosovës.

AGK-ja e fton Presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj mediave, dhe ta ushtrojë me përgjegjësi postin që ka.

    XLPress

    Postime të ngjashëm