Cancel Preloader

Shqipëria merr vëmendje botërore është bërë vendi i parë në botë që emëron një ministër të Inteligjencës Artificiale (AI).

 Shqipëria merr vëmendje botërore është bërë vendi i parë në botë që emëron një ministër të Inteligjencës Artificiale (AI).

 

Gazeta e njohur online POLITICO i ka kushtuar një artikull të veçantë faktit historik që Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që emëron një ministër të Inteligjencës Artificiale (AI). Ky nuk është një ministër tradicional, por një entitet virtual i krijuar nga kod dhe piksela, i mundësuar nga teknologjia e IA-së.

Lajmin e bëri publik vetë kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Tiranë. Krahas prezantimit të anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar, Rama zbuloi emrin e ministres së re të IA-së, Diella, emër që në shqip do të thotë “diell”. Diella do të jetë përgjegjëse kryesisht për të gjitha prokurimet dhe fondet publike.

Ky zhvillim vjen pas një deklarate të Ramës gjatë verës, ku ai shprehu vizionin e tij për një të ardhme ku vendi mund të ketë një ministër dixhital, madje edhe një kryeministër të IA-së. Megjithatë, pak kush e priste që ky moment të mbërrinte kaq shpejt.

Sipas POLITICO, gjatë prezantimit të Diellës, kryeministri theksoi se ajo është “anëtarja e parë që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”. Ai shpjegoi se vendimet për tenderët do të merren nga ministritë përkatëse dhe do të kalojnë nëpërmjet Diellës, e cila përshkruhet si “shërbëtore e prokurimit publik”.

Rama siguroi se procesi, edhe pse “hap pas hapi”, do të garantojë që tenderët publikë në Shqipëri të jenë “100 për qind të pakorruptueshëm” dhe “100 për qind të lexueshëm”.

“Kjo nuk është fantastiko-shkencore, por detyra e Diellës,” u shpreh Rama, duke theksuar natyrën praktike të këtij inovacioni.

Diella nuk është një koncept i panjohur për qytetarët shqiptarë, pasi ajo tashmë fuqizon platformën e-Albania, duke u mundësuar qytetarëve aksesin digjital në pothuajse të gjitha shërbimet qeveritare. Ajo ka edhe një avatar të saj, ku paraqitet si një grua e re e veshur me kostum tradicional shqiptar. Roli i saj do të jetë vlerësimi i ofertave dhe aftësia për të “punësuar talente nga e gjithë bota”, duke tejkaluar kështu “frikën nga paragjykimet dhe ngurtësia e administratës”.

Shkrimi thekson se ky hap vjen në një kohë kur Shqipëria prej kohësh lufton me korrupsionin, veçanërisht në administratën publike dhe në fushën e prokurimeve, çështje e theksuar vazhdimisht edhe nga Bashkimi Evropian në raportet e tij.

Kryeministri Rama, i cili fitoi mandatin e katërt historik në maj 2025, me ambicien për anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, duket se po hedh një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe transparencës së qeverisjes përmes teknologjisë.

/rtsh.al/

    XLPress

    Postime të ngjashëm