OKB-ja kërkon fundin e Hamasit dhe zgjidhjen me dy shtete

“Si pjesë e përfundimit të luftës në Rripin e Gazës Hamasi duhet t’i japë fund sundimit të tij në Rripin e Gazës dhe me angazhimin dhe mbështetjen ndërkombëtare t’ia dorëzojë armët Administratës Palestineze“, thuhet në dokument. Në dokument dënohet gjithashtu sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Dokumenti u hartua nga 17 vende, ndër të cilat bënin pjesë Britania e Madhe, Kanadaja, Brazili dhe Jordania.
“Reklamë në kohën e gabuar”
Izraeli dhe aleati i tij më i ngushtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kritikuan ashpër dokumentin. Sepse në dokument bëhet gjithashtu thirrje për një zgjidhje me dy shtete, të cilën Izraeli e refuzon. Në dokument skicohen “hapa të prekshëm, të kufizuar në kohë dhe të pakthyeshëm” drejt bashkëjetesës midis Izraelit dhe palestinezëve. SHBA-ja e quajti votimin për këtë dokument një përpjekje tjetër për të bërë “një reklamë të gabuar në kohën e gabuar”, duke thënë se kjo minon përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit. Izraeli e hodhi poshtë deklaratën si të njëanshme dhe e quajti votimin “teatër”.
AFP, AP, dpa, Reuters/dw/
OKB-ja kërkon fundin e Hamasit dhe zgjidhjen me dy shtete – DW – 13/09/2025