Trëndafili i egër, pasuri natyrore e vjeshtës

Me hyrjen e stinës së vjeshtës, bimët medicinale bëhen më të pakta, por një nga më të përhapurat dhe më të vlefshmet në këtë periudhë është trëndafili i egër. Këtë vit ka një ngarkesë të mirë me prodhimin e kësaj bime, e cila gjendet masivisht në territorin e bashkisë Maliq.
“Në bashkinë Maliq janë rreth 70 mijë hektar të mbjella me bime medicinale.Trëndafili i egër është mirë të mblidhet kur është në skuqje të plotë sepse edhe përqendrimi i vitaminave është më i lartë”, u shpreh Arben Dulellari, Drejtor i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Bashkia Maliq.
Dulellari thotë se trëndafili i egër përdoret në formë çaji dhe sjell një sërë përfitimesh për organizimin.
“Shquhet për vlera të larta kurative, e pasur me vitamina A, C, P dhe përdoret më së shumti në çaj”, tha ai.
Për ta ruajtur sa më gjatë këtë bimë mjekësore, këshillohet që tharja e tyre të bëhet në ambiente të ajrosura dhe nën hije.