Cancel Preloader

Pse gruaja është “lodra më e rrezikshme” dhe burrit i pëlqen gjithnjë të luaj, sipas Nietzsche

 Pse gruaja është “lodra më e rrezikshme” dhe burrit i pëlqen gjithnjë të luaj, sipas Nietzsche

Shkruan: Albert Vataj

Pse gruaja është “lodra më e rrezikshme” dhe burrit i pëlqen gjithnjë të luaj, sipas Nietzsche

Në kapitullin “Për të vjetrat dhe të rejat gra” të veprës Kështu foli Zarathustra, Nietzsche hedh një nga sentencat e tij më të provokuese:
“Dy gjëra dëshiron burri: rrezikun dhe lojën. Për këtë arsye ai do gruan, si lodrën më të rrezikshme.”
Ky pohim nuk është thjesht një përkufizim i marrëdhënieve mes gjinive, por një metaforë filozofike që e zbërthen shpirtin njerëzor në dy forca themelore: përplasjen me rrezikun dhe tërheqjen ndaj lojës.

Për Nietzsche-n, burri i vërtetë nuk është ai që zgjedh rehatinë, por ai që kërkon sfidën. Rreziku është prova e ekzistencës së tij, një terren ku ai përballet me pasigurinë, me fatin, madje edhe me vdekjen. Loja, nga ana tjetër, është shprehja e krijimtarisë, spontanitetit dhe lirisë. Në ndërthurjen e tyre, burri e përkufizon veten si qenie e gjallë, që nuk pranon të zhytet në mediokritet dhe apati, por kërkon dhe e vendos veten gjithnjë në qendër të ciklonit.

Kur Nietzsche e quan gruan “lodra më e rrezikshme”, nuk është fjala për një nënçmim banal të gruas. Përkundrazi, është një pranim i fuqisë së saj për ta thyer, tunduar dhe transformuar burrin në forcën sfiduese, së cilës ajo synon t’i përkasë.
Gruaja përfaqëson atë që nuk mund të kontrollohet plotësisht, një lojë ku burri hyn i mahnitur, por ku çdo hap mund ta çojë drejt humbjes. Këtu rreziku nuk është ushtarak apo fizik, por ekzistencial, rreziku i dashurisë, i pasionit, i humbjes së vetvetes por edhe sprovës se a është ai që e meriton plotësisht gruan.

Në filozofinë e Nietzsche-s, loja është metafora e jetës së lirë. Bota nuk ka një qëllim të paracaktuar; ajo është arenë ku njeriu luan, shpik rregulla dhe i ndryshon ato, guxon dhe ndeshet, mundet, rrëzohet dhe ringrihet sërisht për të marrë çfarë e bën atë burrë.
Gruaja, si “lodra më e rrezikshme”, bëhet kështu një pasqyrë e vetë ekzistencës, ajo e tërheq njeriun drejt rrezikut dhe njëherësh i jep kuptim lojës së tij.

Është e qartë se ky shtjellim i rrëmetshëm i mendimit filozofik ngjall kundërshti, sidomos nga këndvështrimi i sotëm mbi barazinë gjinore. Por Nietzsche nuk synonte të përshkruante rolet shoqërore të burrit dhe gruas në mënyrë normative apo i kushtëzuar nga sanksionet që do të vinin më pas. Ai përdorte gruan si figurë poetike, si simbol i asaj që është njëkohësisht tërheqëse dhe kërcënuese, një provë e vazhdueshme për burrin që kërkon të jetojë me intensitet dhe të kalisë ndjenjat, trupin dhe shpirtin.

Në fund, ky pohim nuk duhet lexuar si një “recetë” për marrëdhëniet gjinore, por si një reflektim mbi natyrën e njeriut, me thellësinë e të kuptuarit se jeta është një lojë e rrezikshme, dhe vetëm ai që e pranon këtë rrezik mund ta shijojë plotësisht lojën, të humbi dhe të fitojë, të ekzistojë në thelbin e tij filozofik dhe qenësor. Gruaja, në këtë vizion, mishëron vetë jetën, të papritur, të rrezikshme, por të domosdoshme për t’u dashuruar dhe për t’i dhënë kuptim gjithçkaje që rrjedhon prej saj dhe mbetet ajo, gruaja.

    XLPress

    Postime të ngjashëm