Cancel Preloader

Lakmia njerëzore!

 Lakmia njerëzore!

Blerim Latifi

Demokriti ishte një nga filozofët më fatlumë të lashtësisë. I lindur në Abderë të Trakisë, ai trashëgoi një pasuri të madhe, të cilën ia dedikoi pasionit të tij jetësor: njohjes së botës. I shtyrë nga ky pasion, ai udhëtoi në Egjipt, Persi e deri në Indi. Vitet e fundit i kaloi në vendlindje, ku, siç thuhet, vdiq në moshën njëqindvjeçare.

Mësimi i tij, teoria atomike e natyrës, me të cilën hyri në kanunin e filozofisë perëndimore dhe që ende sot konsiderohet si një nga themelet mbi të cilat ngrihet shkenca moderne. Në udhëtimet e tij të gjata, Demokriti u njoh me kultura të ndryshme, por gjithandej ku shkoi dalloi një tipar të përbashkët: lakminë njerëzore. Dhe jo vetëm lakminë për pasuri e pushtet, por edhe atë që ai e quajti: “lakmia për të folur gjithçka dhe për të mos dëgjuar asgjë.”

Kjo formë lakmie i shtyn shoqëritë drejt gjendjeve ku budallallëku mbizotëron mbi komunikimin, ndërsa arsyes i mbetet vetëm një mundësi rezistence: ironia dhe qeshja. Pikërisht këtë rrugë ndoqi edhe vetë Demokriti, prandaj historia intelektuale e njerëzimit e njohu si “filozofi që qeshte”. Në krahun tjetër, tradita platonike, e vazhduar deri te Iluminizmi modern, besonte në një qasje medicinale: budallallëku njerëzor mund të shërohej përmes edukimit racional. Sot kjo qasje ka humbur shumë nga forca e dikurshme. Lakmia për të folur gjithçka dhe për të mos dëgjuar asgjë është bërë motori lëvizës i kaosit të komunikimit online dhe debatit publik. Në kët’ gjendje platonistëve të zhgënjyer nuk u mbetet tjetër ngushëllim përveç rikthimit të ironia dhe qeshja demokritiane.

    XLPress

    Postime të ngjashëm