Cancel Preloader

Në vend që të sjellin ndryshim, ata përsërisin po të njëjtat modele të dështimit

 Në vend që të sjellin ndryshim, ata përsërisin po të njëjtat modele të dështimit

Sebastian Sinani

Në një botë që ndryshon me ritme të shpejta, të rinjtë janë konsideruar gjithmonë si shpresa e së ardhmes. Ata përfaqësojnë energjinë, kurajën dhe potencialin për ndryshim. Por në këtë epokë entuziazmi dhe rrjeteve sociale, ku zërat e rinj bëhen të dëgjueshëm më shpejt se kurrë, lind një pyetje thelbësore: a jemi vërtet të përgatitur për të marrë përgjegjësi të mëdha, apo thjesht të joshur nga dritat e shpejta të pushtetit?
Një i ri që nuk ka përjetuar vështirësitë e jetës reale — sfidat e tregut të punës, përgjegjësitë e përditshme, përballjen me padrejtësi apo mungesën e mundësive — nuk ka themelin e duhur për të kuptuar realisht shoqërinë. Politika nuk duhet të jetë një karrierë që fillon nga “bankat e shkollës”, por një përfundim i natyrshëm i një rruge të ndershme profesionale, intelektuale dhe njerëzore.
Shpesh, të rinjtë hyjnë në politikë me idealizëm të pastër ose me ambicie për ndikim, por pa ndonjë përvojë konkrete, pa formim intelektual dhe etik. Kjo i bën të cenueshëm, të manipulueshëm dhe shpesh të kthehen në vegla të vjetra me fytyra të reja. Në vend që të sjellin ndryshim, ata përsërisin po të njëjtat modele të dështimit.
Të ndalemi dhe të pyesim: çfarë përfaqëson në politikë një njeri që nuk ka krijuar asnjë vlerë në sektorin publik, privat apo akademik? Si mund të drejtojë një shoqëri dikush që nuk ka qenë asnjëherë pjesë reale e saj?
Politika nuk është një trampolinë për famë apo pushtet. Ajo duhet të jetë kulmi i një karriere të ndërtuar me mund, sakrificë dhe integritet — jo strehë për njerëz pa rrënjë në asnjë profesion. Të rinjtë kanë potencialin për të ndryshuar botën, por ky ndryshim duhet të vijë i mbështetur në dije, përvojë dhe vlera të qëndrueshme.
Në vend që të nxitojmë për të “hyrë” në politikë, le të nxitojmë për të ndërtuar veten. Sepse vetëm atëherë do të kemi çfarë t’i ofrojmë vendit tonë.

    XLPress

    Postime të ngjashëm