Zëvendëspresidenti i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Igor Stojanović, njoftoi më 5 maj se ka ngritur padi në Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër presidentit të entitetit Republika Srpska, Milorad Dodik, me dyshimin për kryerjen e veprës penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.
Stojanović deklaroi , në një postim në Facebook, se Dodik bëri deklarata gjatë paraqitjeve publike që fyenin dinjitetin e boshnjakëve dhe “shkelnin të drejtën e fesë dhe kulturës, si dhe liritë themelore, të garantuara nga Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare.
Duke folur me gazetarët më 29 prill, pas një takimi të koalicionit qeverisës në Republikën Srpska, Dodik paraqiti tezën se zgjidhja për Bosnjën dhe Hercegovinën është që boshnjakët “të kthehen në fenë e paraardhësve të tyre, në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina të ketë shumicë serbe”.
Duke mohuar identitetin e boshnjakëve, ai i fyeu ata duke i quajtur “të konvertuar”. Stojanović tha se ai ka një “detyrim institucional dhe moral për të reaguar kur themelet e shtetit -barazia, siguria dhe dinjiteti i qytetarëve të tij kërcënohen”.
“Heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është një opsion. Bosnja dhe Hercegovina është një shtet i të gjithë popullit dhe qytetarëve të saj. Themelet e saj janë në luftën kundër fashizmit, në liri dhe barazi. Është patriotizëm të mbrosh dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe të mbrosh vlerat mbi të cilat është themeluar ky vend”. theksoi Stojanović
Zyra e Dodikut më parë nuk i është përgjigjur pyetjes nga mediat ndërkombëtare se pse presidenti i Republikës Srpska bën komente fyese ndaj boshnjakëve dhe nëse ai beson se ato përbëjnë gjuhë urrejtjeje.
Nenet e Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës ndalojnë “nxitje publike dhe nxitje të urrejtjes kombëtare, racore ose fetare” dhe parashikojnë dënim me burg.
Dodik kërkohet nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Zyra e Prokurorit të Bosnjës dhe Hercegovinës sepse ai po refuzon t’u përgjigjet pyetjeve për “sulm ndaj rendit kushtetues të vendit”.
Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për Kryetarin e Kuvendit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç, dhe Kryeministrin e entitetit, Radovan Viskoviç, të cilët dyshohen gjithashtu se kanë kryer të njëjtin krim.
(Balka