Ministren për Çështje Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre, e patëm mysafire gjatë ditës së sotme bashkë me ambasadorin për Kosovë, Christian Grønbech-Jensen dhe Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, Jonas Bering Liisberg.
Danimarka është përkrahëse e Kosovës në arenën ndërkombëtare e rrugëtimin tonë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe drejt integrimit evropian, për çka dhe e falënderova ministren për mbështetjen e vazhdueshme.
Gjatë bisedës sonë theksova rëndësinë e avancimit të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian gjersa vendi ynë ka shënuar progres në zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian duke përfshirë dhe rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimi i ligjit e liri të shprehjes.
Angazhimi, përkushtimi i vazhdueshëm dhe orientimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, NATO dhe Këshillin e Evropës.
Teksa Danimarka do të marrë kryesimin e Presidencës së Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti, shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe thellim të mëtejmë të marrëdhënieve tona dypalëshe.