E djathta tradicionale – Faktor vendimtar për një fitore të sigurtë

E DJATHTA TRADICIONALE – FAKTOR VENDIMTAR PËR NJË FITORE TË SIGURTË

Shoetim Axhami

Lufta politike për pushtet, në themel të saj, mbështetet në konkurrencën mes alternativave politike, të ndara në të djathta dhe të majta.

Në Shqipërinë pluraliste të pas viteve ’90, kultura politike perëndimore ishte pothuajse inekzistente. Lufta e Dytë Botërore dhe diktatura komuniste, që zgjatën për dekada, kishin lënë pas një trashëgimi të rëndë dhe mungesë të traditave demokratike.

Partitë e reja politike të asaj kohe përshtatën në mënyrë sipërfaqësore programe të partive evropiane, duke u fokusuar kryesisht në marrjen e pushtetit sesa në ndërtimin e një profili politik të qëndrueshëm dhe me baza të forta programore në shërbim të qytetarëve.

E djathta në pluralizëm
Partia Demokratike lindi si rezultat i një lëvizjeje të gjerë antikomuniste dhe antidiktatoriale. Shtylla kryesore e kësaj partie ishin shtresat e persekutuara dhe të nëpërkëmbura nga regjimi, nacionalistët, legalistët-zogistë dhe ballistët. Kjo bërthamë përfaqësonte në vetvete frymën e së djathtës tradicionale, që kishte ekzistuar edhe para diktaturës.

Nga ana tjetër, Partia e Punës u shndërrua në Partinë Socialiste, duke ruajtur në thelb të njëjtën strukturë dhe mentalitet deri në ditët e sotme.

Dëmtimi i së djathtës tradicionale
Partitë tradicionale të djathta, me rrënjë të thella në historinë politike dhe patriotike të Shqipërisë, u përballën me pengesa të shumta që kufizuan veprimtarinë e tyre politike. Kjo solli një goditje të rëndë për besimin tek e djathta në përgjithësi dhe zvogëlimin e rolit të saj si faktor politik.

Megjithatë, e djathta tradicionale shqiptare ka demonstruar gjithmonë progresivitet, europianizëm dhe kombëtarizëm, duke ruajtur kauza të qarta dhe qëndrueshmëri programore. Ajo nuk ka qenë kurrë një fenomen kalimtar, por një forcë e qëndrueshme dhe thelbësore për zhvillimin politik të vendit.

Roli i së djathtës tradicionale sot
Motivimi dhe përfshirja e shtresave të djathta tradicionale janë vendimtare për një fitore të sigurt të së djathtës. Kjo shtresë nuk mund të përfaqësohet thjesht nga individë të veçantë brenda Partisë Demokratike, por nga subjekte politike tradicionale që kanë një program të qartë dhe që përfaqësojnë interesat e këtyre shtresave në mënyrë të plotë dhe të dinjitetshme.

Partitë e djathta tradicionale dhe nacionaliste përfaqësojnë kauza të mëdha kombëtare. Ato nuk janë parti të individëve që kërkojnë privilegje të përkohshme, por janë formacione që kërkojnë përfaqësim të drejtë dhe afirmim të identitetit të tyre politik.

Konsolidimi i së djathtës për fitore
Për një rotacion të qëndrueshëm dhe bindës, është thelbësore që këto subjekte të kenë një rol të merituar brenda një koalicioni më të gjerë. Ky koalicion duhet të bazohet në reciprocitet dhe tolerancë, duke sjellë frymë dhe besim te votuesit. Vetëm kështu mund të arrihet një ndryshim i qëndrueshëm dhe një fitore e sigurt për të djathtën.

Pranda!
Është momenti për rikthimin e së djathtës me dinjitet dhe për një bashkëpunim të sinqertë e afatgjatë. Vetëm një koalicion i madh, i bazuar në vlera të përbashkëta dhe në përfaqësimin dinjitoz të çdo shtrese, mund të sjellë ndryshimin që kërkohet dhe fitoren që e djathta meriton.