Dekreti më i fundit i Presidentit Biden lidhur me Maqedoninë e Veriut,mund të lexohet si një mesazh direkt

Dekreti më i fundit i Presidentit Biden lidhur me Maqedoninë e Veriut,mund të lexohet si një mesazh direkt, jo për BDI-në, por për pozitën maqedono-shqiptare (VMRO-DPMNE- VLEN- ZNAM), për shkak se kjo e fundit është ajo që po mundohet të silurojë dy dokument-marrëveshjet historike: Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Ohrit e pse jo edhe Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë. Sa për ilustrim, Qeveria Mickoski (me grupimin politik Vlen brenda) dhe Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova janë aktorët e vetëm që i ndezën gjakrat me fqinjët grekë e bullgarë, në planin e jashtëm, dhe po këta janë ata që po përçapen, kësaj radhe edhe me mështetjen e socialdemokartëve maqedonas në opozitë, të revidojnë Marrëveshjen e Ohrit!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zgjeruar të mërkurën fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit e përfshirë në destabilizimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në një dekret të ri theksohet se këto sanksione do të përfshijnë ata që, si drejtpërdrejt ashtu dhe tërthorazi, kanë kontribuar në shkeljen, pengimin ose kërcënimin e sigurisë rajonale, marrëveshjeve të paqes dhe marrëveshjeve të njohjes reciproke në rajon.“Këtu përfshihen Marrëveshja e Prespës e vitit 2018, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, Marrëveshja e Dejtonit, ose konkluzionet e Këshillit për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshillit për zbatimin e paqes ose Bordit të tij Drejtues ose Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, d.m.th., Mekanizmit Ndërkombëtar të mbetur për Gjykatat Penale”.

Në fakt, me këtë urdhër ekzekutiv, Biden ka ndërmarrë hapa shtesë, duke ndryshuar dhe plotësuar tre urdhrat në lidhje me Ballkanin Perëndimor nga viti 2021, që kanë të bëjnë me bllokimin e aseteve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për njerëzit që kontribuojnë në destabilizimin e rajonit, – tha Shtëpia e Bardhë.

Rregullorja e vitit 2021 parashikon që sanksionet – bllokimi i aseteve dhe ndalimi i hyrjes në SHBA – të zbatohen për personat që janë direkt ose indirekt përgjegjës për veprimet dhe politikat që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të një zone ose një shteti në Ballkanin Perëndimor, minojnë proceset apo institucionet demokratike, shkelin të drejtat e njeriut apo përfshihen në korrupsion.

Dy ditë pas publikimit të Dekretit të Presidentit amerikan në largim, reagimet në Shkup vazhdojnë të jenë në rrafshin e përplasjeve politike mes pozitë-opozitës maqedono-shqiptare (VMRO-DPMNE- VLEN- ZNAM plus LSDM-së opozitare), nga njëra anë, dhe opozitës shqiptare (Fronti Evropian në ballë me BDI-në), nga ana tjetër. Kjo për shkak se të parët, duke marrë si sebep futjen në listën e zezë amerikane të Artan Grubit, ish-zëvendëskryeministër i Parë, mundohen që BDI-në të na e paraqesin si një gogol të të gjithë asaj që ushqen midenë e mbrapshtë se kjo parti dhe udhëheqësi i saj na paskan qenë delja e zezë tash e dy dekada! Për të qenë më konkret, përse pozitë-opozita maqedono-shqiptare (VMRO-DPMNE- VLEN- ZNAM plus LSDM-ja opozitare), anashkalojnë ish-zëvendëskryeministrin Koço Angjushev, që para Grubit u shpall “non grata”, apo, më herët edhe ish-kryeministri Nikola Gruevski, ndër tjerë, por merren kryekëput me një parti që deri tash ka dëshmuar se jo rastësisht ka ngadhnjyer në bllokun politik shqiptar?! Natyrisht, këtë nuk duhet marrë si avokati për amnistim të eskponentëve të saj të cilët në përballje me drejtësinë joselektive mund të dalin fajtorë!

Prandaj, Dekreti më i fundit i Presidentit Biden lidhur me Maqedoninë e Veriut, mund të lexohet si një mesazh direkt, jo për BDI-në, por për pozitën maqedono-shqiptare (VMRO-DPMNE- VLEN- ZNAM), për shkak se kjo e fundit është ajo që po mundohet të silurojë dy dokument-marrëveshjet historike: Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Ohrit e pse jo edhe Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë. Sa për ilustrim, Qeveria Mickoski (me grupimin politik Vlen brenda) dhe presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova janë aktorët e vetëm që I ndezën gjakrat me fqinjët grekë e bullgarë, në planin e jashtëm, dhe po këta janë ata që po përçapen, kësaj radhe edhe me mështetjen e socialdemokartëve maqedonas në opozitë, që të revidojnë Marrëveshjen e Ohrit! Të paktën kjo është përshtypja e deritashme e mbështetur në veprimet politikisht të dirigjuara të institucioneve (Balansuesi, gjuha, përkatësia etnike), të cilat sikur provojnë mungesën e memories politike për atë se çka i parapriu Marrëveshjes së Ohrit e çka asaj të Prespës! Logjika e thotë se kudo dhe për të gjithë duhet vënë pikat mbi I: Arkitektët e të dyja Marrëveshjeve, dihen, shkelësit e tyre, po ashtu – shihen! Filozofi për këtë nuk duhet. As edhe drejtësi! Selektive, jo se jo!