“Fest Flaka” e sivjetme u shqua me interpretime të këngëve patriotike
“Kënga e Bilbilit ” e orkestruar nga Jusuf Gërvalla dhe e interpretuar nga Kuarteti Frymorë i përbërë nga Fisnik Behluli, Kushtrim Rexhepi, Rron Rrustemi dhe Jetmir Rrudhani e ka hapur Festivalin “Fest Flaka”, festival i interpretëve të muzikës popullore, që organizohet në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2025”.
Ky festival sivjet ka ardhur me format krejt ndryshe dhe nuk ka patur karakter garues, kurse në të kanë dominuar këngët epike e patriotike.
Festivalin e ka shpallur të hapur nënkryetarja e komunës, Leonora Morina – Bunjaku, e cila ka theksuar se “Festa e Flakës së Janarit”, është një ngjarje, e cila gjithnjë ka bërë jehonë në zemrat e çdo shqiptari dhe që tashmë është një traditë e shenjtë për kultivimin dhe ruajtjen e pasurisë sonë muzikore. Pasi ka përkujtuar të gjitha aktivitetet që janë mbajtur deri më tashti Morina – Bunjaku, ka shtuar se ë këtë mbrëmje të veçantë, ne nuk jemi vetëm dëshmitarë të talentit dhe pasionit të artistëve tanë, por edhe të forcës që ka muzika për të na bashkuar si komb.
“Festa e Flakës së Janarit” është një udhërrëfyes që na sjell afër pasurive tona më të vyera – këngës dhe poezi. Ajo është një burim frymëzimi, një shprehje e traditës dhe identitetit tonë kombëtar, një pasqyrë e emocioneve dhe historisë që kemi trashëguar për breza.
Në çdo notë, çdo fjalë dhe çdo interpretim të këngëve, gjejmë thelbin e shpirtit shqiptar – një shpirt që është i ngopur me dashuri, vuajtje, gëzim dhe shpresë”, ka thënë nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, që ka shtuar se ky festival është një mundësi për të festuar dhe për të vlerësuar artistët tanë, ata që i japin zë historisë dhe përvojave tona.
Në pjesën muzikore në vazhdim, më pas, me radhë janë interpretuar këngët “O bilbil ta bëra benë” – Xhentian Jetishi, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Mentor Haziri, këngë e pasur me një përkushtim për kryekomandantin Adem Jashari, të kënduar nga Majlinda Cikaqi. Në “Fest Flaka 2025” i është kënduar edhe Agim Ramadanit, nga solisti Kushtrim Kosumi, Dritëro Shaqiri ka interpretuar këngën “Selami Hallaqi” e Florion Thaqi interpretoi “Këngë për kurbetin”.
Programi ka vazhduar me këngën e kënduar nga Hysni Klinaku – “Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha”, Rexhep Jashari i ka kënduar Ismajl Qemalit e Osman Takës i ka kënduar Denik Prizreni, në të cilën kanë vallëzuar valltarët e QKA Anamorava. Në “Fest Flakën” e sivjetme është paraqitur edhe këngëtarja e mirënjohur Linda Hakaj që këndoi këngën “Fol Shqip”. Për “Bijtë e Lumës” këndoi “Acapella” Kori i Grupit Artistik Muzikor Theranda e Kosovës i kënduan Xhentian Jetishi, Majlinda Cikaqi dhe Kushtrim Kosumi.
Ky program është përcjellë edhe me efekte audio-vizuele, ku para çdo kënge janë deklamuar pjesë të poezive, që u kushtoheshin atyre që u këndohej.
Të gjitha këto këngë janë shoqëruar nga Orkestra Profesionale e “Fest Flaka”, edicioni 34, derisa programi është përzgjedhur, orkestruar dhe përgatitur nga profesor Dëfrim Behluli, organizator dhe drejtor artistik i “Fest Flakës 2025”.
Në shenjë nderimi për kontributin e dhënë ndër vite në „Flakën e Janarit“ me mirënjohje është nderuar kompozitori Isa Jakupi, mirënjohje të cilën e kanë pranuar fëmijët e tij, gjithashtu muzikantë, Kushtrim Jakupi dhe Albina Jakupi. Gjithashtu është falënderuar edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni si dhe drejtori për Kulturë, Rini e Sporte, Kushtrim Zeqiri.
“Flaka e Janarit 2024” vazhdon me Orën e Madhe Letrare dhe “Penën e Flakës”.