Martin Berishaj
Gjeneral Tomë Berisha është një nga ata burra që mungon fizikisht, por trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë brezat. Si profesor në universitete të njohura botërore – nga Zagrebi, Sorbona, Prishtina, Tripoli e deri në Varshavë – ai la një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën akademike dhe ushtarake, duke qenë një figurë me përmasa të pakrahasueshme kombëtare.
Vepra e akademik Tomë Berishës është dëshmi e përkushtimit të tij ndaj çështjes kombëtare. Ai e kuptoi herët se detyra e intelektualit, shkencëtarit dhe sidomos e eprorit ushtarak shqiptar ishte të vihej në shërbim të kauzës kombëtare, duke shpenzuar energjinë e tij krijuese në të mirë të atdheut.
Për ta përkujtuar bacën Tomë, nuk mund të mos rikujtojmë fjalimin e tij profetik nga fundi i viteve ’60, i ruajtur në arkivat e Televizionit Kroat:
“Populli shqiptar nuk mund të jetë i barabartë me popujt e tjerë në Jugosllavi, nëse nuk do të ketë Akademinë Ushtarake në gjuhën shqipe dhe ushtrinë e vet.”
Historia dëshmoi të vërtetën e fjalëve të tij. Sot, trupi i tij pushon në tokën e Malësisë, ku u varros para më shumë se një dekadë me nderime të larta, në praninë e mijëra shqiptarëve dhe personaliteteve më të njohura nga mbarë hapësira shqiptare. Por emri i tij, vizioni dhe përkushtimi i tij mbeten të paharrueshëm në kujtesën kombëtare.