Cancel Preloader

Gjermania parashikon të marrë 850 miliardë euro kredi të reja

 Gjermania parashikon të marrë 850 miliardë euro kredi të reja

 

Borxhe rekorde – Gjermania parashikon të marrë 850 miliardë euro kredi të reja deri në vitin 2029! Po përse?

Rrugë të vjetëruara, ura që kanë nevojë për rivitalizim, ndërtime shkollash, trena të vonuar, mungesa e internetit të shpejtë – këto janë vetëm disa nga problemet e përditshme në Gjermani. Por kjo duhet të ndryshojë së shpejti. “Ne duam që ekskavatorët të fillojnë të punojnë shpejt tani,” tha ministri i Financave Lars Klingbeil ndërsa prezantoi planet e tij për buxhetin në Berlin.

Kthesë në politikën financiare: Të martën (24 qershor), zyra e qeverisë miratoi projektbuxhetin për vitin 2025, kornizën e buxhetit për vitin 2026 dhe parashikimin e përafërt financiar deri në vitin 2029. Qeveria miratoi edhe një projektligj që do të krijojë një fond të posaçëm për infrastrukturën dhe klimën, të financuar përmes huamarrjes. Investimet në infrastrukturë do të luajnë një rol kyç në të ardhmen. Vetëm këtë vit, buxheti ka caktuar 115 miliardë euro investime. “Vendi ynë është shkatërruar dhe është lënë pas dore shumë. Prapambetja e investimeve është e madhe,” tha Klingbeil, i cili është gjithashtu zv.kancelar dhe kreu i SPD. Rehabilitimi i infrastrukturës duhet të ndihmojë gjithashtu në nxitjen e një ekonomie që po tregon shenja dobësie. Përveç kësaj, është planifikuar një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve për mbrojtjen.

Plani financiar i qeverisë së re shënon një kthesë në politikën fiskale gjermane. Në nëntor 2024, qeveria e mëparshme ra për shkak të një konflikti mbi financimin e buxhetit.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në shkurt 2025 dhe tani në pushtet janë kristiandemokratët dhe socialdemokratët. Problemi i arkës së zbrazët të shtetit do të zgjidhet duke marrë hua në një shkallë të paparë. Edhe para se të merrnin pushtetin, partnerët e koalicionit, me pëlqimin e të Gjelbërve, miratuan një paketë të madhe financiare për vitet e ardhshme – 500 miliardë euro për investime në infrastrukturën e lënë pas dore. Praktikisht nuk ka asnjë limit huamarrjeje për armatosjen e Bundeswehrit dhe rritjen e aftësive mbrojtëse të Gjermanisë. Planet e Klingbeil rreth 50 ditë pas marrjes së pushtetit tregojnë se çfarë do të thotë kjo.
Shpenzimet buxhetore të këtij viti janë planifikuar të jenë 503 miliardë euro, nga të cilat rreth 143 miliardë do të financohen përmes kredive.

Lexo artikullin të plotë: https://www.dw.com/sq/gjermania-n%C3%AB-borxhe-rekorde/a-73029519

    XLPress

    Postime të ngjashëm