Agjencia për inteligjencë të brendshme në Gjermani e ka shpallur partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) organizatë ekstremiste të krahut të djathtë.
Agjencia, e quajtur Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), tha se tani ka konfirmuar këtë cilësim për AfD-në, pasi sipas saj, tashmë ka të dhëna konkrete që partia antimigrante, e themeluar më 2013, ndjek qëllime që kërcënojnë rendin demokratik të Gjermanisë.
“Kuptimi i partisë për popullin, i bazuar në përkatësinë etnike dhe prejardhje, nuk është në përputhje me rendin demokratik dhe të lirë”, tha agjencia.
Qëndrimet e partisë dhe udhëheqësve të AfD-së shkelin parimet kushtetuese të paprekshmërisë të dinjitetit njerëzor, thanë zëvendëspresidentët e agjencisë, Sinan Selen dhe Silke Willems.
AfD-ja, që doli e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura këtë vit në Gjermani, më herët kishte pasur statusin e grupit “të dyshuar” ekstremist. Kjo parti e sfidoi këtë cilësim të agjencisë në gjykatë, por pa sukses.
Sipas kanalit të parë të televizionit publik gjerman ARD, kalimi i AfD-së në “ekstremiste të krahut të djathtë qartësisht” pritej që vitin e kaluar. Megjithatë, Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës shmangu bërjen publike të përfundimeve të tij më herët, për shkak të zgjedhjeve, me qëllim që të shmangte akuzat për shkelje të së drejtës për mundësi të barabarta të partive gjatë periudhës zgjedhore.