Ka zbulime shkencore që ndryshojnë jo vetëm njohuritë tona, por edhe mënyrën se si ne e perceptojmë veten dhe vendin tonë në univers.
Një moment i tillë ishte kur anija kozmike dërgoi imazhe të Tokës për herë të parë.
Një tjetër mund të vijë së shpejti: zbulimi i jetës në një botë tjetër.
Kjo mundësi tashmë po shqyrtohet seriozisht pasi në planetin K2-18b u zbulua një gjurmë gazi, e cila krijohet në Tokë ekskluzivisht nga veprimi i organizmave të thjeshtë detarë.
“Kjo është një nga pyetjet themelore dhe ne mund të jemi shumë afër përgjigjes”, tha Prof. Nikku Madhusudhan nga Instituti i Astronomisë në Universitetin e Kembrixhit, i cili drejton ekipin që zbuloi gazin.
Por zbulime të tilla ngrenë pyetje të reja.
Nëse vërtet gjejmë jetë në një botë tjetër, si do të na ndryshojë ajo?
Nga disqet fluturuese te ekzoplanetet
Bëhet e ditur se njerëzit gjithmonë kanë treguar histori për qeniet nga qielli.
Në fillim të shekullit të 20-të, disa astronomë pretenduan se shihnin vija të drejta në sipërfaqen e Marsit, duke ndezur spekulime për ekzistencën e një qytetërimi të përparuar.
Gjatë Luftës së Ftohtë, alienët shpesh portretizoheshin si një kërcënim në kulturën pop perëndimore.
Por dëshmia më e fortë e jetës nuk erdhi nga Marsi apo Venera, por nga një planet rreth 124 vite dritë nga Toka, që rrotullohet rreth një ylli në një galaktikë të largët.
Kjo është një distancë e vështirë për t’u imagjinuar.
Ylli më i afërt me Diellin tonë është pak më shumë se 4 vjet dritë larg, galaktika jonë ka një diametër prej rreth 100,000 vite dritë.
Duke përdorur teknologjinë e sotme, njerëzimit do t’i duheshin rreth 188,000 vjet për të arritur K2-18b.
Deri kohët e fundit, NASA kërkonte për jetë në Mars
Deri kohët e fundit, NASA kishte qenë në kërkim të jetës pothuajse ekskluzivisht në Mars.
Por gjithçka ndryshoi në vitin 1992, kur u zbulua planeti i parë jashtë sistemit diellor, përcjell Telegrafi.
Që atëherë, janë gjetur rreth 6000 planetë të tillë, të njohur si ekzoplanetë. Shumë prej tyre janë gjigantë gazi si Jupiteri ose Saturni, ndërsa të tjerët janë shumë të nxehtë ose shumë të ftohtë për ujin e lëngshëm, i cili konsiderohet thelbësor për jetën.
Por shumë ekzoplanetë janë në të ashtuquajturën “zonë e artë”, në një distancë “të duhur” për ekzistencën e jetës.
Madhusudhan beson se ka mijëra prej tyre vetëm në galaktikën tonë.
Teleskopi më i fuqishëm në histori ka zbuluar shenjën më të fortë të jetës përtej Tokës
Raportohet se me ardhjen e ekzoplaneteve, shkencëtarët filluan të zhvillonin instrumente për të analizuar atmosferën e tyre, në mënyrë që të gjenin të ashtuquajturat “biosignatures”, ose molekula që prodhohen ekskluzivisht nga gjallesat në Tokë.
Kjo kërkonte vëzhgimin e sasive mikroskopike të dritës që kalonin nëpër atmosferën e një planeti të largët.
Përparimi më i madh erdhi me ndërtimin e teleskopit hapësinor James Webb (JWST) në 2021, teleskopi më i fuqishëm ndonjëherë.
Është JWST që tani ka zbuluar gaz në K2-18b, i cili konsiderohet si shenja më e fortë e jetës përtej Tokës.