Kallas: Viti 2030, objektiv realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mund të jetë një objektiv realist, nëse kryhen reformat e nevojshme, tha në Tiranë shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.

“Po, është realiste nëse të gjithë bëjnë detyrat e shtëpisë,” deklaroi Kallas.

Por në këtë rrugë, Kallas tha se Shqipëria duhet të bëjë reformat e nevojshme.

“Shqipëria me reformat e saj — jo vetëm ato që duhet të miratohen, por edhe ato që tashmë janë miratuar — duhet të zbatohen. Këtu, sundimi i ligjit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ai, shteti i së drejtës, është një nga themelet e Bashkimit Evropian,” deklaroi Kallas.

Në konferencën e përbashkët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në fokus të diskutimeve ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Rama shprehu ambicien që negociatat e Shqipërisë me BE-në, në kuadër të procesit të anëtarësimit, të mbyllen deri në vitin 2027.

“Ne kemi një plan të dakordësuar me BE-në për të mbyllur negociatat në vitin 2027, që do të thotë se në momentin që mbyllen negociatat, Komisioni i rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin,” tha Rama.

Nga ky moment, Rama tha se Shqipëria parasheh një periudhë dyvjeçare ratifikimesh, që sipas tij përfundon me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Këtë rrugëtim, Rama tha se e ndihmon fakti që Shqipëria është në linjë të plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Shqipëria i hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim më 15 tetor, 2024.

Hapja e kapitujve për Shqipërinë erdhi pas një pritjeje të gjatë, pasi ajo kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe e kishte marrë statutin e vendit kandidat më 2014.

Kallas dhe Rama, po ashtu, folën për rëndësinë që ka stabiliteti në rajon, duke theksuar nevojën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.
SHIKONI EDHE:
Kallas: Jemi duke i analizuar gabimet e dialogut Kosovë – Serbi
Gjatë vizitës së Kallas në Tiranë, u nënshkrua një marrëveshje në vlerë prej 90 milionë eurosh për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e ‘Korridorit VIII”.