Konklava për zgjedhjen e Papës së ri mbahet të mërkurën me 7 maj

KONKLAVA PËR ZGJEDHJEN E PAPËS SË RI, TË MËRKURËN MË 7 MAJ 2025

Radio Maria

Me gëzim ju njoftojmë se konklava për zgjedhjen e Papës së ri do të fillojë të mërkurën, më 7 maj 2025, në Kapelën Sistine të Vatikanit.
Ky vendim u mor të hënën gjatë Kongregacionit të pestë të Përgjithshëm nga kardinalët e mbledhur në Romë.
Ju ftojmë të qëndroni me ne në lutje dhe përcjellje të këtij momenti historik për Kishën universale. 🙏
Radio Maria e Kosovës do të përpiqet gjatë këtyre ditëve t’ju shpërndajë informacione të përditësuara, shpjegime dhe reflektime shpirtërore për këtë ngjarje kaq të veçantë.

________________________________________

Çfarë është Konklava?

Fjala konklavë vjen nga latinishtja cum clave që do të thotë “me çelës” – pra, një mbledhje e mbyllur.
Konklava është takimi i kardinalëve të Kishës Katolike që mblidhen me qëllim zgjedhjen e Papës së ri.
Ajo zhvillohet në një ambient të mbrojtur (Kapela Sistine) për të ruajtur frymën e lutjes, reflektimit dhe pavarësisë nga çdo ndikim i jashtëm.

Procesi udhëhiqet nga disa rregulla shumë të qarta:
• Kardinalët betohen për ruajtjen e sekretit absolut mbi gjithçka që ndodh brenda konklavës.
• Votimi bëhet në mënyrë të fshehtë.
• Për të zgjedhur Papën e ri, kërkohet një shumicë e cilësuar: 2/3 e votave të kardinalëve votues.

Konklava është një çast i veçantë i veprimit të Shpirtit Shenjt në jetën e Kishës.
Çdo votë është një akt lutjeje, një akt besimi: Kisha pret udhëheqësin e saj të ri jo vetëm nga zgjedhjet njerëzore, por si një dhuratë e Zotit.