Mbahen takime pune ndërmjet Prokurorisë së Apelit dhe prokurorive themelore në Gjilan dhe Ferizaj

Në kuadër të vizitave të rregullta për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, z. Agron Bajrami, ka zhvilluar takime pune me krerët e prokurorive themelore në Gjilan dhe Ferizaj.

Në këto takime, z. Bajrami u prit nga Kryeprokurori i Gjilanit, z. Arben Kadriu dhe nga Kryeprokurori i Ferizajt, z. Burim Cerkini, bashkë me bashkëpunëtorët e tyre. Fokusi i këtyre takimeve ishte fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet niveleve të ndryshme të sistemit prokurorial, me theks të veçantë në përmirësimin e efikasitetit në trajtimin e lëndëve penale.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë, Kryeprokurori z. Bajrami, theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë dhe përkushtimi i përbashkët janë çelësi për rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë në vendimmarrje. ‘’Duhet të punojmë së bashku për të adresuar sfidat dhe për të përmirësuar mangësitë që vërehen në vendimet e shkallës së parë’’, tha z. Bajrami gjatë takimeve.

Nga ana tjetër, z. Kadriu dhe z. Cerkini ritheksuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Apelit, si mënyrë për të përballuar sfidat dhe për të avancuar cilësinë e punës institucionale.

Në përmbyllje të takimeve, palët u pajtuan për të vazhduar dhe thelluar dialogun profesional dhe bashkëpunimin në funksion të një sistemi më të fuqishëm dhe më efikas të drejtësisë.