Mbahet Panairi i Punës dhe Karrierës në Universitetin “Kadri Zeka”

Drejtori për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, ka marrë pjesë në Panairin e Punës dhe Karrierës, organizuar nga Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”, në bashkëpunim me GIZ DIMAK, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të afruar të rinjtë me mundësitë reale të punësimit dhe zhvillimit profesional.

Ky panair ka shërbyer si platformë ndërvepruese mes studentëve, bizneseve, institucioneve publike dhe organizatave ndërkombëtare, me qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit që mundësojnë punësim, praktikë profesionale dhe ndërtim të një karriere të qëndrueshme në vend.

Shabani theksoi përkushtimin e Komunës së Gjilanit, për të mbështetur iniciativa të tilla që përforcojnë lidhjen ndërmjet tregut të punës dhe arsimit, si dhe për të krijuar politika konkrete që nxisin vetëpunësimin tek të rinjtët dhe studentët.

Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në bashkëpunim me kryetarin e komunës për këto 3 vite ka ndarë rreth 500 mijë euro subvencione nga buxheti vetanak i Komunës për krijimin e bizneseve të reja dhe inciativave për ndërmarrësi.

Më tej ai theksoi se pjesëmarrja në këtë panair të punës dëshmon vullnetin institucional për të qenë afër të rinjve dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet veti.

Në fund drejtori për Zhvillim Ekonomik Enver Shabani i përgëzoj organizatorët për këtë iniciativë dhe organizim të panairit të punës dhe i fton të gjithëve studentët, bizneset, institucionet të shfrytëzojnë maksimalisht bashkëpunimin dhe mundësinë e komunikimit ndërmjet veti.