Nënshkruhet marrëveshja për hapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë, Rama: Industria ushtarake, një motor i ri i rritjes ekonomike

U nënshkrua sot marrëveshja për hapjen e Akademisë së Aviacionit, një projekt që synon të kthehet në pikë referimi rajonale për përgatitjen e pilotëve dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Edi Rama theksoi se rilindja e industrisë ushtarake është pjesë e një strategjie të re kombëtare, ndërsa e vlerësoi si një motor të ri të rritjes ekonomike të vendit.

Kreu i qeverisë shoti se mbështetja ndaj ushtarakëve do të vijojë, qoftë me pagat por edhe me politikat për strehimin e tyre.

“Ka lindur domosdoshmëria që t’i qasemi këtij procesi transformimi me një strategji të re, që ka nisur të jetësohet hap pas hapi, pjesë e së cilës është edhe marrëveshja që sapo u firmos.

Thelbi është që ne duam të rilindim industrinë e mbrojtjes dhe prodhimit ushtarak. Jemi shumë optimistë, Kemi partnerët dhe aleatët e duhur që janë lider në këtë fushë jo vetëm Izraelin por edhe SHBA dhe vende të BE-së. Patjetër edhe Turqinë. Po punojmë intensivisht në disa drejtime. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që rritja e buxhetit të mbrojtjes, do ta vazhdojmë duke shtuar mbështetjen për ushtarakët tanë në të gjitha aspektet, që nga paga te strehimi me një politikë të re në këtë aspekt.
Nga ana tjetër do ta fokusojmë tek prodhimi, ngritja e baze të mirëfilltë për të vënë në dispozicion të FA mjetet më të sofistikuara të kohës dhe duke eksportuar sigurisht.
Industria ushtarake, një motor i ri i rritjes ekonomike”, tha ai.