Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sugjeron që palestinezët duhet të krijojnë një shtet të tyrin në Arabinë Saudite. “Sauditët mund të krijojnë një shtet palestinez në Arabinë Saudite. Ata kanë shumë toka atje”, – tha Netanyahu në një intervistë për Channel 14 të Izraelit.
Deklaratat vijnë pasi Arabia Saudite dhe Izraeli duken më larg normalizimit të marrëdhënieve, më shumë se një vit pasi zyrtarët në SHBA thanë se një marrëveshje ishte afër.
Riadi përsëriti gjatë vitit të kaluar se vetëm një rrugë e qartë drejt krijimit të shtetit palestinez do ta çonte atë në krijimin e lidhjeve formale me Izraelin, por Netanyahu e hedh poshtë këtë ide, duke e quajtur atë një “kërcënim të sigurisë për Izraelin”.
“Sidomos jo një shtet palestinez. Pas 7 tetorit? A e dini se çfarë është kjo? Kishte një shtet palestinez. Quhej Gaza. Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, ishte një shtet palestinez dhe shikoni se çfarë morëm” – tha Netanjahu.
Intervista u zhvillua teksa Netanyahu ishte në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Ai pati edhe një konferencë të përbashkët shtypi me Donald Trump, në të cilën presidenti amerikan njoftoi planin e tij për dëbimin e palestinezëve nga Gaza për ta bërë enklavën palestineze “Rivierën e Mesdheut”, me marrjen e territorit nga SHBA. LAPSI.al/xlpress.tv/