Me ceremoni shtetërore, është realizuar ngritja e flamurit të Republikës së Kosovës në oborrin mes Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Në ceremoni morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, e anëtarë të kabinetit qeveritar.
Presidentja Osmani në fjalën e tij falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë, duke theksuar rolin e presidentit Rugova.
“Është një ditë kur ne kujtojmë sakrificën shekullore të cilën e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është ditë kur investojmë sukseset që ka arritur republika jonë duke forcuar sovranitetin, subjektitetin ndërkombëtar, duke forcuar sundimin e ligjit dhe demokracinë. U themi faleminderit nga zemra. Duke filluar nga arkitekti i pavarësisë tonë presidenti historik Rugova, e komandanti legjendar Adem Jashari e deri tek secili qytetar”, tha Vjosa Osmani.
Kurti vazhdoi me lëvdata që i nisi në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.
“Dimër i ftohtë por me zemra të ngrohta, teksa urojmë për 17-vjetorin e 17 shkurtit, shpalljen e pavarësisë. Ekonomia e Kosovës është trefish më e madhe se para 17 vjetëve, jemi shembull për siguri, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, kur kemi parasysh të drejtat e qytetarëve. Entuziazmin popullor e sukseset e republikës tonë. Mund të jemi krenar që i kemi dalë hakut të sakrificës e flijimit të martirëve e dëshmorëve”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në mbledhjen solmene të qeverisë me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë.
Kurti fillimisht uroi 17-vjetorin e pavarësisë, e më pas thuri elozhe të mëdha për qeverisjen e tij.
“Teksa festojmë, kujtojmë me krenari rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë e pavarësisë. Kushtetuta jonë është e re, por kultura jonë është e një populli të lashtë. Ne sot nderojmë të gjithë ata që sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë, nga heronjtë dëshmorët e martirët, tek invalidët e veteranët e UÇK-së, te veprimtarët e qytetarët që qëndruan përballë sfidave. Të gjithëve u jemi mirënjohës. Liria që kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci që të dëgjohet zëri i popullit. Demokracia kërkon institucione të forta, mbrojtje të ligjit, e që garantojnë se pushteti u shërben qytetarëve. Republika jonë sot është më e fortë se kurrë më parë, jo vetëm sepse kemi investuar në siguri e mbrojtje, por kemi forcuar institucionet demokratike, e kemi normalizuar funksionimin e tyre. Ekonomia po rritet shpejt e qëndrueshëm. Sipas indekseve ndërkombëtare për demokracia, Kosova është demokracia me përmirësimin më të madh. Kosova prin për përmirësimin e të drejtave politike e lirive civile”, tha ai.
/nga NACIONALE/xlpress.tv/