Nisi manifestimi “Ditët e Agimit 2025”, Hyseni: Kujtojmë një figurë të pazëvendësueshme të historisë sonë

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit Alban Hysenit dhe Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit” në Zhegër, kanë nisur aktivitetet e manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2025”.

Në këto aktivitete përkujtimore, sportive dhe kulturore në nderim të heroit kombëtar Agim Ramadani, ishin edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqirin, kryetarin e Këshillit të fshatit Zhegër Qahil Halilin, familjarë të heroit kombëtar Agim Ramadanit dhe qytetarë të shumtë.

Aktivitet filluan me turneun në futboll të vogël “Edhe me sport e kujtojmë Agimin”, për të vazhduar në mbrëmje me ndezjen e “Flakadanëve të Lirisë”, kushtuar 114 dëshmorëve të rënë në betejën heroike të Koshares.

Kryetari i Komunës Alban Hyseni, tha se nisën shënimin e manifestimit tradicional me turnirin e futbollit të vogël, përmes të cilit kujtuan heroin Agim Ramadani me moton “Edhe me sport e kujtojmë Agimin”.

Sipas tij ky aktivitet shënon fillimin e tri ditëve përkujtimore që mbajnë gjallë kujtimin e një figure të pazëvendësueshme të historisë sonë.

Aktivitet vazhduan me ndezjen e “Flakadanëve të Lirisë”, në nder të 114 dëshmorëve të betejës së Koshares, një nga faqet më të lavdishme të luftës për liri.

Manifestimi vazhdon me aktivitete tjera sot dhe deri më 4 maj me ngjarje të shumta, përfshirë turneun tradicional në “Snooker”, një garë ndërkombëtare në karate më 4 maj, si dhe memorialin tradicional të peshkatarisë të organizuar nga SHPSR “Cormoran” në Gjilan.

Sot në orë 14:00, mbahet aktiviteti poetik “Muza e Agimit”, ku poetë nga trojet shqiptare do të sjellin vargje kushtuar heroit Agim Ramadani, duke përforcuar dimensionin kulturor të këtij manifestimi.

Ndërsa me 3 maj, shënohet “Ditën e Shkollës”, dhe ditëlindja e Agim Ramadanit.

Derisa në orë 16:00, mbahet “Tubimi Qendror – I këndojmë Agimit”, ku do të marrin pjesë yjet të estradës.