Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dalë hapur kundër Marrëveshjes për turizëm dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, që hapin rrugën për dhënien me qira të Plazhit të Madh në Ulqin.
Përmes një deklarate publike, ai ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ta marrin në konsideratë shqetësimet e ngritura nga sektori civil, institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit lokalë, para se të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes, shkruan Reporteri.net.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, tha se konsideron që Marrëveshja është e mangët për shkak të disa aspekteve, përfshirë ato juridike, ekonomike dhe mjedisore, dhe se në këtë formë nuk duhet të ratifikohet nga Kuvendi.
“Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Malit të Zi që të marrin parasysh të gjitha argumentet e paraqitura në periudhën paraprake nga përfaqësuesit e sektorit joqeveritar, drejtuesit e agjencive kompetente shtetërore, si dhe përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale kur votojnë për Marrëveshjen për zhvillimin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Qëndrimi im ishte shumë i qartë. Mendoj se Marrëveshja është e mangët për disa aspekte, duke përfshirë ato ligjore, ekonomike dhe mjedisore dhe se në këtë formë nuk duhet të ratifikohet nga Kuvendi”, ka shkruar Milatoviq në platformën “x”.