Presidenti Trump nënshkruan urdhëzim për të studiuar se si mund të bëhet i përballueshëm fekondimi artificial

Marrë nga Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump firmosi të martën një urdhër ekzekutiv për të studiuar se si mund të zgjerohet qasja ndaj fekondimit artificial dhe se si mund të bëhet më e përballueshme kjo metodë e riprodhimit.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, urdhri përcakton dhënien e rekomandimeve mbi politika “për mbrojtjen e qasjes ndaj fertilizimit ‘in vitro’ dhe tkurrjen e konsiderueshme të shpenzimeve të pacientëve dhe kostove të sistemit shëndetësor për një trajtim të tillë”.

Gjatë fushatës zgjedhore, presidenti mbështeti idenë që procedura ‘in vitro’ të ishte e përballueshme nga të gjithë, pasi të emëruarit e tij në Gjykatën e Lartë, ndihmuan në shfuqizimin e vendimit të njohur si ‘Roe v Wade’, që e njihte abortin si të drejtë mbarëkombëtare, çka çoi në një valë kufizimesh në shtetet e drejtuara nga republikanët, përfshirë disa që kanë kërcënuar mos lejimin e qasjes ndaj fekondimit artificial, duke u përpjekur të përcaktojnë se “jeta” nis që në ngjizje.

Zoti Trump, i cili ishte në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridës, firmosi gjithashtu një urdhër tjetër ekzekutiv dhe një memorandum presidencial.

Urdhri i dytë ekzekutiv përcakton funksionet mbikëqyrëse të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, ndërsa memorandumi presidencial përcaktonte rritjen e transparencës nga ana e qeverisë, sipas sekretarit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, të cilit zoti Trump i kërkoi të jepte hollësi mbi urdhërat.

Urdhëri kërkon “mekanizma radikalë për transparencë” nga qeveria, e cila duhet të japë hollësi mbi “shpërdorimet, mashtrimet dhe abuzimet” që janë evidentuar, ndërsa Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), nën drejtimin e Elon Muskut, synon të shkurtojë shpenzimet qeveritare.

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë shpesh nuk i ka përmbushur premtimet e administratës për transparencë. Zoti Musk ka pranuar vetëm një herë pyetje nga gazetarët, që kur u bë këshilltari më i fuqishëm i Presidentit Trump dhe ka pohuar se identifikimi i njerëzve që punojnë për të, është i paligjshëm.

Ndonjëherë anëtarët e personelit të DOGE kanë kërkuar qasje tek bazat e të dhënave të ndjeshme të qeverisë, duke ofruar pak shpjegime.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, urdhri i Presidentit Trump për fekondimin artificial do të ketë përparësi të shqyrtojë nëse ndonjë prej politikave aktuale “rrit kostot e trajtimit in vitro”.

Vitin e kaluar, Presidenti Trump deklaroi mbështetje publike për fekondimin artificial pasi Gjykata e Lartë e Alabamës vendosi që, sipas ligjit të këtij shteti, embrionet e ngrira mund të konsiderohen fëmijë. Vendimi, të cilin disa republikanë dhe konservatorë e mirëpritën, shkaktoi reagime të menjëhershme.

Trump: Familjet janë mirënjohëse

Gjatë fushatës, çështja e fekondimit artificial u bë shpejt një pikë diskutimi për Presidentin Trump, i cili tha se e mbështeste fuqimisht qasjen ndaj procedurës in vitro.

Fekondimi artificial ofron një zgjidhje të mundshme për gra që mund të kenë probleme për të mbetur shtatzënë. Procedura përfshin marrjen e vezëve të gruas dhe bashkimin e tyre në laborator me spermën e burrit për të krijuar një embrion të fekonduar, i cili më pas transferohet në mitër, në përpjekje për të krijuar një shtatzëni.

“Mendoj se gratë dhe familjet, burrat, e vlerësojnë shumë urdhërin”, tha Presidenti Trump në një koment të shkurtër mbi urdhrin, përpara se t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve mbi një sërë çështjesh të tjera./voa/xlpress.tv/