Komandanti i FSK-së së basku me Ministrin e Mbrojtjes pritën në takim Kontingjentin e FSK-së që do të merr pjesë në Operacionin “INTERFLEX”
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqendonci, pritën në takim kontingjentin e FSK-së, i cili do të merr pjesë në Operacionin “INTERFLEX”, që do të realizohet në Mbretërinë e Bashkuar, për të trajnuar trupat ukrainase.
Me këtë rast KOMFSK ju uroi sukses kontingjentit të FSK-së, gjatë realizimit të këtij operacioni dhe në të njëjtën kohë kërkoi nga ta që të tregojnë profesionalizëm, përkushtim dhe disiplinë në mënyrë që ky kontingjent ta përfaqësojë sa më mirë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Republikën e Kosovës.
Operacioni “INTERFLEX” është operacion shumëkombësh me qëllim të përgatitjes dhe aftësimit të ushtrisë ukrainase në luftën e tyre për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial ndaj agresionit rus.
Gjatë këtij operacioni gjashtë mujor të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, pjesëtarët tanë së bashku me ushtarakë nga vendet tjera do të angazhohen si instruktorë në trajnimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës në detyra të ndryshme luftarake.