Pse nuk është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe temë e fushatës!?

Pse nuk është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe temë e fushatës!?

/xlpress.tv/
Pasinqeriteti i klasës politike në Kosovë, arrin shkallët e një shfaqjeje të teatrit për fëmijë dhe kjo s’do mend se ata mund të bëjnë fëmijët për të qeshur por jo domosdoshmërisht edhe t’i mashtrojnë! Ndonëse ka munguar debati direkt ballë për ballë mes liderëve, ata në distancë nuk kanë përtuar të tregojnë sensin për të adresuar të këqijat shoqërore të këtij vendi në adresë të liderit tjetër opponent, por duket të kenë rënë në një marrëveshje të heshtur se askush të mos flasë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Për sa kohë që kandidatët për deputet dalin të jenë tepër të azhuruar në pagesën e spoteve në Facebook, platforma sociale, ku shkruan me të kuqe “sponsored”, me foto kremoz reflektues në hundë dhe ballë, një temë e cila, s’do mend, po rri në sirtarë dhe po mungon pa e ditur kush arsyen, është emërtimi “Zajednica”.

Apo mungon me apo pa arsye prezenca e “zajednicës” në zgjedhje!?

Zajednica është një term që përdoret për të përshkruar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Ky asociacion është një strukturë që synon të përfaqësojë interesat e komunitetit serb në Kosovë dhe të sigurojë një nivel të caktuar autonomie për komunat me shumicë serbe.

Në politikën kosovare, Zajednica është një çështje e ndjeshme dhe shpesh e debatueshme. Disa e shohin atë si një mënyrë për të siguruar të drejtat dhe interesat e komunitetit serb, ndërsa të tjerët shqetësohen se mund të krijojë ndarje dhe të minojë sovranitetin e Kosovës. Kjo çështje është diskutuar në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe mbetet një pikë kyçe në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Shikuar nga kjo, partitë politike në Kosovë mbeten të jenë të pasinqerta karshi qytetarëve për të treguar se cila është zgjidhja për këtë nyje politike. Askush nuk është vërejtur të dalë t’u thotë qytetarëve se si do të zgjidhet kjo nyje. Të bindur se kjo çështje do të shtrohet pashmangshëm për t’u zgjidhur për cilëndo parti që do të qeverisë vendin, klasa politike sikur ka rënë në marrëveshje mes veti, të mos e trajtojnë në zgjedhje, ndonëse ajo, lexo- zajednica, do të kërkojë zgjidhjen si një nga detyrat e para të qeverisë së re.

Me gjasë ky problem prej “Thembre të Akilit”, nuk është bërë mirë i ditur as kandidatëve për deputet, me dorën e të cilëve do të jepet drita e gjelbër të jetësimit. Shumëkush nga deputetët garues, nuk janë në dijeni se ata do të kenë stigmën e votimit si vulë me njollë, si qysh dhe pse kanë për ta votuar Zajednicën.

Keni parasysh sa herë janë turpëruar deputetët me votën e tyre, duke thënë se nuk e kanë ditur, është dashur dhe ashtu pa pikë turpi të vazhdojnë hyrjet-daljet në karriget e kuqe të parlamentit, shpërfillës dhe të papërgjegjshëm në emër të popullit…

Republika e Kosovës, ka nevojë për politikanë të sinqertë!