Ramadush Emini Kandidon për Deputet në Parlamentin e Kosovës

 

Ramadush Emini Kandidon për Deputet në Parlamentin e Kosovës

Prishtinë

Ramadush Emini, një biznesmen i njohur që vepron në Zvicër, ka vendosur të hyjë në garën për një vend në Parlamentin e Kosovës. Ai shprehet i kënaqur që mund të sjellë eksperiencën dhe kulturën e punës helvetike në sektorin e biznesit, ku ka ndërtuar një reputacion të fortë për inovacion dhe menaxhim efektiv.

“Kam vendosur të kandidoj për deputet në Parlamentin e Kosovës, pas shumë viteve aktivitet në Degën e LDK-së në Zvicër dhe pas kërkesave të shumta të miqve të mi të lidershipit të LDK-së dhe të vetë Kryetarit Lumir Abdixhiku,” thotë Emini. Ai është i bindur se gërshetimi i rugovizmit si filozofi politike dhe kultura e punës nga Zvicra do të jetë sinergji për kthimin e madh të LDK-së.
Kandidati, i cili ka një përvojë të gjerë në menaxhimin e kompanive të suksesshme në Zvicër, synon të sjellë të njëjtën qasje inovative dhe të orientuar drejt rezultateve në politikën kosovare. Ai beson se përvoja e tij ndërkombëtare dhe njohuritë e tij të thella në fushën e biznesit do të jenë një aset i çmuar për zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës.
“Jam i përkushtuar të kontribuoj. Besoj se me përvojën time dhe vizionin tim për një Kosovë më të fortë dhe më të zhvilluar, mund të bëjmë ndryshime të rëndësishme. LDK gjithmonë ka pasur platformat më të mira dhe më të mirëqenat për zhvillimin ekonomik të vendit,” thotë Emini.
Ai ka shprehur bindjen se Anamorava, si pjesa më lindore e vendit, ka rëndësi strategjike për lidhjen me korridoret ndërkombëtare dhe i duhet një mbështetje më e gjerë që të shfrytëzohet si aset për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kandidatura ime ka marrë mbështetje të gjerë nga komuniteti i biznesit dhe nga qytetarët që kërkojnë ndryshime pozitive në qeverisje. Unë do të fokusohem në çështje të rëndësishme si zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i infrastrukturës,” ka thënë Ramadush Emini, kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës, me numër 82 në Lidhjen Demokratike të Kosovës.